Andrea Stefani – Autokrati Sali Berisha nuk është më në pushtet. Me një votë masive kundër tij shqiptarët shmangën më 23 qershor rrezikun e rrëshqitjes së Shqipërisë në një diktaturë të re të një pushteti absolut që korrupton në mënyrë absolute. Të gjithë ndërkombëtarët, nga Brukseli në Uashington, u befasuan nga 23 qershori. Nuk e pritnin. Por është njëri prej tyre që bashkoi zërin me kritikët e regjimit brenda vendit. Është një ndërkombëtar që nxiti shqiptarët të bëjnë atë që bënë më 23 qershor, që i ftoi të përmbysin me votë “burrin e shtetit” që po mbyste demokracinë dhe lirinë, që foli “shqip”, edhe në anglisht, duke paralajmëruar me zë të lartë se për Shqipërinë kishte ardhur momenti: o diktaturë, o liri! Emri i tij është, John Withers.
Kur ca vite më parë Withers mbërriti në Tiranë për të kryer detyrën e ambasadorit të SHBA-së, prioritet i diplomacisë amerikane në Shqipëri ishte pranimi i saj në NATO. Një objektiv që, për shkak të vlerës që paraqiste për stabilitetin rajonal, kishte lënë disi në hije çështjet e demokracisë dhe të lirisë. Kjo shpjegon se përse ambasadori Withers këshilloi përmbajtje të opozitës në çastet tragjike të tragjedisë së Gërdecit. Kjo shpjegon edhe se përse ambasada dhe Withers vetë, pranuan thuajse në heshtje konsensusin e gabuar dhe të rrezikshëm qeveri-opozitë, për amendimin e Kushtetutës në prill 2008. Por ndërkaq, flakërima e shpërthimit apokaliptik të Gërdecit, kishte bërë që vështrimi i Withers të depërtonte në skutat e errëta të një korrupsioni qeveritar që i kish shtrirë metastazat e tij deri në Uashington. Gjë që duket e tmerroi dhe e revoltoi.
Dhe që nga ai moment, nis përleshja e pakompromis e amerikanit Withers me oktapodin e autokratizmit dhe korrupsionit në Tiranë. Dërgon kabllograme pas kabllogramesh në Departamentin e Shtetit (DAP) për kapjen që Kryeministri Berisha po u bënte institucioneve të shtetit. Por ato duket se nuk kishin shumë sukses. Oktapodi i autokratizmit dhe korrupsionit kishte shndërruar në tentakula të tij disa figura me ndikim në diplomacinë e SHBA-së e deri kompani lobuese si “Podesta”. Zëri i tyre ishte më i fortë në veshët e DAP sesa zëri i së vërtetës së hidhur që përsëriste pa u lodhur Withers. Prandaj dhe pavarësisht alarmeve të ambasadorit, të dërguarit e DAP-it mbërrinin në Tiranë për të deklaruar se në Shqipëri ka një “demokraci funksionale” pikërisht në momentet kur autokratizmi po i zinte frymën demokracisë. Prandaj dhe autokrati Berisha e sfidonte ambasadorin Withers duke deklaruar gjithë cinizëm fuqiplotë: Qëndrimet e SHBA-së për Shqipërinë nuk përcaktohen nga Tirana në Uashington, por nga Uashingtoni në Tiranë! Pasi kishte kapur Republikën e Shqipërisë, Berisha kish kapur edhe diplomacinë e SHBA-së! Nga “state capture” kishim kaluar në United States Capture!
Për gjithë opozitarët e Kryeministrit Berisha, politikë dhe jo politikë, për të gjithë gazetarët kritikë ambasadori Withers u bë aleati i vetëm në përballjen e tyre me autokratizmin. Ai ritheksoi fort ato të vërteta, që kritikët e qeverisë në vend i ulërinin më kot prej vitesh, por që nuk depërtonin dot në veshët e ndërkombëtarëve dhe kancelarive të shurdhuara nga një diplomaci që e vlerësonte sakrifikimin e demokracisë në Shqipëri, si një “collateral damage” për stabilitetin në rajonin e vështirë të Ballkanit. Jo rrallëherë në këta 8 vjet, kritikët e autokratizmit janë gjendur në pozitë të vështirë. Jo rrallëherë kritikat e tyre dukeshin të padrejta. Sepse autokrati shfaqej si “mik i SHBA” dhe avokatët e qeverisë kundërsulmonin: A nuk tha DAP se Shqipëria ka bërë përparime, a nuk tha edhe Kantrimen se demokracia po funksionon? Si mund të ngjisnin kritikat kundër Berishës kur ai merrte kohë pas kohe përgëzime nga DAP-i, nga SHBA-ja, përkrahësi më i madh i proceseve demokratike në botë? Por ishin denoncimet dhe deklarimet e ambasadorit Withers që rivendosnin drejtpeshimin e gjërave dhe ku kritikët e autokratizmit rigjenin një konfirmim të drejtësisë së kauzës së tyre. Withers duket e kuptoi këtë, e kuptoi vlerën e fjalës së tij për shqiptarët dhe prandaj nuk e mbylli gojën, nuk i preu lidhjet me Shqipërinë edhe kur në mbyllje të detyrës u largua prej saj. Vazhdoi të dërgojë përtej Atlantikut letra e mesazhe kundër autokratizmit. Sepse kishte bërë një premtim para shqiptarëve. U kishte premtuar shqiptarëve se SHBA-ja do ta thotë të vërtetën nëse zgjedhjet janë të dyshimta, nëse autoritetet qeveritare pengojnë pavarësinë e institucioneve, nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit, nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin ekonomik, nëse udhëheqësit do të rendin drejt pushtetit në vend se për t’i shërbyer popullit, nëse parimet universale të demokracisë lihen mënjanë dhe demokracia bën prapa. Withers kish premtuar se SHBA-ja do t’i thoshte këto të vërteta derisa të fillonte përparimi i vërtetë. Amerikani, diplomati, ambasadori, pensionisti, qytetari Withers ndiente përgjegjësi për atë që po ndodhte dhe mund të ndodhte në Shqipëri. Tradhtimi i demokracisë, i parimeve të saj në Shqipëri, ishte për të tradhtimi i demokracisë në SHBA. Ndryshe nga burokratët e DAP-it, Withers e kuptoi se devocioni i SHBA-së ndaj demokracisë dhe lirisë, mund të komprometohej keq, edhe pse në një shtet të varfër dhe pa shumë rëndësi si Shqipëria. Madje, pikërisht sepse Shqipëria është një vend pa rëndësi strategjike. Sepse parimet universale të lirisë nuk kanë vlerë vetëm në shtete të mëdha, për to nuk luftohet vetëm aty ku ka interesa strategjike për t’u mbrojtur. Ato mbrohen kudo ku ka njerëz. Ndryshe përse janë universale? Prandaj në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, ai i paralajmëroi shqiptarët, si askush nga ndërkombëtarët, për udhëkryqin historik: Ja diktaturë, ja demokraci! Dhe shqiptarët e dëgjuan duke kundërvotuar “burrin e shtetit” që po mbyste shtetin, lirinë dhe demokracinë në Shqipëri.
Top Channel