Të parkosh automjetin në kryeqytet është shndërruar ndër  shqetësimet kryesore për drejtuesit e tyre.

Kjo jo vetëm për faktin se numri i automjeteve është rritur ndjeshëm, por edhe parkimet publike mungojnë dhe si të tilla shërbejnë vetëm ato në atë të rrugëve.

Por, së fundmi, këto vendparkime po shndërrohen gjithmonë e më shumë në sheshe për tregtimin e makinave.

“Është shumë e vështirë, treg shitje tek parkimet që kemi nevojë të parkojmë për dy minuta”, shprehet një qytetar.

“Normalisht duhet të ketë një vend ku të shiten të gjitha makinat, sepse zënë vendin e parkimit e ne detyrohemi të rrimë këtu në trafik”, deklaroi një tjetër kryeqytetas.

Individë të ndryshëm, të cilët merren me shitje automjetesh i parkojne ato në anë të rrugës, duke u zënë vendin të tjerëve, ndërkohë që duhet t’i dërgojne automjetet për të shitur në destinacionet e caktuara për këtë qëllim.  

Por, edhe më të shqetësuar janë drejtuesit e taksive, të cilët paguajnë për vendqëndrimin e tyre dhe shpesh i gjejnë vendet të zëna.

“Ne kemi vendet e rezervuara, pasi jemi taksi, por shpesh herë i gjejmë të zëna”, deklaroi një takstist.

Kjo është situata në rrugë kryesore të kryeqytetit, në zonën pranë shkollës Sabaudin Gabrani, ndërkohë që automjete të cilat parkohen për t’u reklamuar për shitje gjen në shumë rrugë të kryeqytetit.

Top Channel