Itali, hedh gruan nga kati i nëntë

01/07/2013 19:00

Një vrasje në familje ka tronditur gjatë natës lokalitetin Kolonjo Monceze në rrethinat e Milanos. Shtetasja shqiptare Silvana H. është gjetur pa jetë pasi ka rënë nga kati i nëntë i pallatiti ku banonte.

Fillimisht forcat e rendit kanë hedhur hipotezën e vetëvrasjes, por nga një kontroll më i imët dhe pas marrjes në pyetje të bashkëshortit të viktimës është zbuluar se bëhej fjalë për vrasje.

Zef Lleshi, 30 vjeç akuzohet për vrasjen e të shoqes. Në apartamentin e çiftit janë gjetur orendi të thyera dhe shenja të tjera të një zënke të fortë.

Shtetasi shqiptar fillimisht ka treguar se gërvishtjet që kishte në krahë i ishin shkaktuar gjatë përpjekjes për të mbajtuar gruan që të mos hidhej.

Ai nuk ka arritur të sqarojë saktësisht se si kishte rrjedhur ngjarja dhe ka bërë tregime kontradiktore. Vetëm pas marrjes në pyetje prej disa orësh ai ka pranuar vrasjen, me sa duket për arsye xhelozie.

Në Itali është rënduar së tepërmi plaga e vrasjeve të grave nga partnerët. Shifrat janë alarmante: nga fillimi i vitit janë vrarë 40 gra, ndërsa vitin e kaluar numri i tyre ishte 124, praktikisht një grua e vrarë çdo tre ditë.

Top Channel