Brazili i mëson futbollin Spanjës

01/07/2013 00:00

Kupa e Konfederatave 2013 është fituar nga Brazili pas një finaleje ku vendasit poshtëruan Spanjën me rezultat dhe lojë. Pesë herë kampionët e Botës fituan 3-0 duke mos i lënë asnjë shans skuadrës së drejtuar nga Vicente Del Bosque.

Ndeshja nis shkëlqyeshëm për Seleçaon: në minutën e dytë është Fred që përfiton nga një ngatërresë e Arbeloa dhe Pique dhe shënon nga shumë afër portës.

Në fund të pjesës së parë është Neymar ai që dyfishon rezultatin me anë të një të majte që nuk i lë shanse Iker Casillas.

Me fillimin e pjesës së dytë, kur pritej reagimi i Spanjës, është sërish Fred ai që mbyll takimin me golin e tretë.

Sergio Ramos humb një 11-metërsh në minutën e 54’, ndërsa Pique del me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Neymar.

Tashmë shtrohet pyetja: Kjo humbje për Spanjën shënon fundin e një cikli?

Top Channel