Aleksandër Çipa – Modeli i qeverisjes PD-LSI nga 2009-a deri në vitin 2013 është analizuar fragmentarisht dhe është pranuar publikisht vlerësimi që kanë pasur vetë dy autorët kryesorë të këtij partneriteti qeverisës, zoti Berisha dhe Meta.
Në të vërtetë, brendia e asaj qeverisjeje vijon të mbetet e patrajtuar analitikisht. Prej shumëkujt që është shprehur, sidomos gjatë fushatë zgjedhore të para 23 qershorit dhe veçanërisht gjatë kësaj periudhe postzgjedhore, në fokus janë mbajtur gabimet dhe arroganca e qeverisjes së dëshmuar prej kryesuesit dhe lidershipit të PD-së. Ndërkohë që në mediat ndërkombëtare dhe kushdo prej ndërkombëtarëve që u është përmbajtur raporteve periodike të vlerësimit të qeverisjes dhe arritjeve shqiptare, përsëritshëm është përmendur fakti i ngjarjeve të rënda të korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë ligjore.
Këto adresime natyrisht që lidhen me modelin që sendërton bashkëqeverisja me dy aktorë të rëndësishëm partiakë (Berisha-Meta dikur dhe tashmë Rama-Meta), fatpërcaktues për qeverisjen e djeshme dhe në shtator, rishtaren. Në këtë model, përcaktueshmëria e përqindjes së zotërimit të pushtetit në administratë dhe qeveri është një zgjidhje e keqe dhe deformuese, madje me pasoja degraduese moskontrolli dhe mosndëshkueshmëri ligjore. Koha do të kalojë dhe ndoshta do të arrihet të verifikohet se sa moskontrollues dhe i papushtetshëm ka qenë Kryeministri Berisha mbi ministritë që drejtoheshin si hise pushteti nga ministrat e zotit Meta. Raporte të tilla specifike fatkeqësisht kanë mbetur të panjohura jo vetëm në linja vertikale të qeverisë “Berisha”, por edhe nga institucionet e pavarura ligjzbatuese dhe kontrolluese. Në një këndvështrim realist, për publikun dhe mediat e vendit, do të duhej të ishin publikuar me kohë problemet e mënyrës funksionuese të ministrive që drejtoheshin nga LSI-ja me ato që drejtoheshin nga PD-ja. Kjo nevojitet jo thjesht për të parë “cingërimat”, por për të kuptuar se sa problematike ose jo është diferenca mes dy partnerëve politikisht dhe përmbajtësisht të ndryshëm. Politikisht edhe zoti Berisha edhe zoti Meta, iu përmbajtën deklarimit të një bashkëpunimi korrekt gjatë mandatit qeverisës. Publiku dhe mediat e morën të mirëqenë këtë korrektesë. Por nëse do të investigohej realisht te dokumentacioni që mishëron komunikimin reciprok gjatë katër viteve të asaj qeverisjeje dhe sidomos korrespodencës informale në linjat partiake të të dy partnerëve, ka për të pasur një antologji problemesh dhe akuzimesh, të cilat shprehin se sa me pakënaqësi paskan qenë mbarsur edhe PD-ja edhe LSI-ja me mënyrën se si po administrohej pushteti, se si po kryheshin punësimet në administratë dhe se si po shndërrohej në kriter parësor anëtarësia partiake mbi të gjitha kriteret e tjera profesionale.
Natyrisht ky model do të mbetet ende i pandriçuar dhe pse jo edhe i paekspozuar në sytë e publikut. Raportet institucionale, sipas të gjitha gjasave, mund të mungojnë. Çështja është se si do të arrijmë si qytetarë të këtij vendi të shohim një model të ri dhe a do ia dalin bashkëqeverisësit e rinj Rama-Meta ta zhbëjnë atë model që implementoi zoti Berisha në bashkëqeverisjen me zotin Meta? A do të mundin të ikin nga modeli i përqindjes partiake të ndarjes së pushtetit dhe fatkeqësisht të vendeve në administratë?!
Në këtë aspekt, skepticizmi është në fuqi. Ky skepticizëm nuk lidhet më shumë me ndërgjegjen respektive të zotërinjve Rama-Meta se sa me mungesën e një ndërhyrjeje kurajoze të institucioneve ligjore që nga prokuroria, gjykatat, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Komisioni i Shërbimit Civil. Nëse do të ishte në fuqi një kurajë e tillë ligjore, shteti nuk do të gjendej sot në skandalin e madh të pagesës së dyfishtë për gati çdo vend pune në administratë, të atij që emërohet rishtazi dhe atij që është larguar nga partia. Një skandal që kap shifra tronditëse financiare për buxhetin e shtetit.
Por për ta shmangur implementimin e mëtejshëm të këtij modeli që të çon pashmangshmërisht në krizë funksionale dhe të tjera, lehtësisht edhe marrëdhënieje, zotërinjtë e qeverisjes së re, nevojitet të shpërfillin modelin Berisha-Meta. Ikja prej atij modeli të pazbuluar plotësisht në gjëmën që sjell, është nevojë imediate. Brendia e tij ka lidhje me korruptimin dhe kapjen, me degradimin dhe zhbërjen e kritereve të një administrate cilësore dhe funksionale. Ndarja e vjetër si vijim i ri në administratë, nuk është gjë tjetër veçse udhëtim nëpër statukuonë e një administrate të mjeruar dhe të bindur, partiake dhe militante në çdo sjellje dhe në çdo veprim. Shumëkush në analizat e ditëve të fundit, por në mënyrë më eksplicite kolegu B.Kajsiu e shpreh këtë dukuri me konceptin e patronazhit politik mbi administratën. Sipas Kajsiut me të drejtë, në këtë model: “…shteti është në shërbim të klientelës politike, dhe jo në funksion të shoqërisë në përgjithësi. Ndoshta modeli klintelist i majtë do të jetë me gjithëpërfshirës se ai i PD-së. Megjithatë, kemi të bëjmë me të njëjtin model që dobëson administratën publike, që nxit kapjen e shtetit nga interesat private dhe, për pasojë, pamundëson qeverisjen në funksion të interesit publik”.
Për ta evituar këtë model, ndoshta duhet nisur prej rikthimit të dëgjueshmërisë dhe konsiderimit të institucioneve të auditit. Kësi institucionesh duket se janë të munguara ose kanë qenë kryekëput të padëgjuara e të shpërfillura. Madje nëse na duhet një kampion për të provuar arrogancën në qeverisjen e djeshme, ky vlen e tepron për ta dëshmuar më së miri. Në këtë sipërmarrje të re qeverisëse, rikthimi i forcës dhe autoritetit të auditit dhe ligjzbatimit, ka lidhje me atë që quhet demokraci funksionale dhe ligjzbatuese. Koalicioni i ri i majtë imediatisht duhet ta nisë këtu, ndryshe jo vetëm nuk mund ta rikonstruktojë qeverisjen e re, por do ta ketë vështirë për të heshtur zërat ankimtarë, jo të opozitës, por të qytetarëve. Parcelizimi dhe përqindja si kritere bazike në administratë e forcave të një koalicioni qeverisës, pashmangshmërisht piramidalizojnë atë dhe shumëfishojnë informalitetin shumëplanësh.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel