Chris Froome rikthehet të tregojë se është çiklisti më i mirë i Turit të Francës, ndërsa me fitoren në etapën e 17 rriti avantazhin e fanelës së verdhë që mban.
Megjithatë, në përfundim të kronometrit individual, që ishte edhe atapa e tretë që britaniku bënte për vete në këtë Tur, Froome pranoi me modesti se nuk priste të mundte Contadorin dhe aq më pak të fitonte në këtë kronometër.
”E vërteta është se nuk besoja që do të fitoja. Qëllimi im ishte të ruaja avantazhin përballë etapës së ardhshme në Alpe. Ishte një etapë e vështirë për shkak të kushteve atmosferike. Zbritja e parë ishte në të thatë dhe kjo më lehtësoi pak gjërat, por shiu në pjesën e dytë e bëri të vështirë dhe të rrezikshme rrugën, ndaj jam shumë i kënaqur për këtë rezultat”, deklaroi Froome.
I pyetur për vendimin e çuditshëm për të ndryshuar biçikletën në mesin e garës, Froome tha: “Gjatë provave të mëngjesit, kuptova se duke ndërruar biçikletë mund të fitoja diçka në kohë. Për këtë vendosëm që të garoja me dy biçikleta të ndryshme, që i përshtateshin secila më shumë karakteristikave të pjesës së garës ku i përdora”, shtoi britaniku.
Top Channel