Contador: Do të tentoj të sulmoj Froome

30/06/2013 20:40

Ndonëse mundësia për të fituar një Tur të tretë të Francës në karrierë duket gjithmonë e më e largët për Alberto Contador, përballë një Chris Froome që po dominon bindshëm, spanjolli shprehu kënaqësinë e tij për rezultatin e arritur në etapën e 17.

Ai arriti të renditej i dyti, nëntë sekonda pas kryesuesit Froome dhe ndonëse e nisi ditën duke qenë pedaluesi më i shpejtë, në pjesën e fundit të kronometrit u mposht prej britanikut.

Megjithatë, Contador deklaroi: “Jam i kënaqur pasi realizova një kronometër që më pëlqeu. Është për të ardhur keq që nuk arrita të fitoja, por Froome në këtë moment është duke kaluar një moment forme të jashtëzakonshme dhe është me të vërtetë më i miri. Vlerësimi për atë që arrita të bëja është i mirë, pasi arrita të merrja më të mirën e mundshme nga kjo etapë”.

Contador ishte i vetmi midis favoritëve, që nuk zgjodhi të ndryshonte biçikletë në mesin e garës. “Isha i kënaqur nga biçikleta që kisha. Mendoj se edhe ashtu po jepja më të mirën time dhe se nuk mund të bëja më mirë me një biçikletë tjetër. Deri në fund mbeten disa etapa të vështira dhe nga vendi i dytë i renditjes do të jetë më e lehtë që të sulmoj kryesuesin. Froome është shumë i fortë në këtë moment, por edhe unë ndihem gjithmonë e më mirë, ndaj do të tentoj”, shtoi Contador.

Top Channel