
Mercedes dominoi në provat zyrtare për Cmimin e Madh të Britanisë duke zënë dy vendet e para të nisjes në garën e së dielës, përkatësisht me Lewis Hamilton të parin dhe Nico Rosberg të dytin.
Piloti britanik regjistroi kohën më të shpejtë në shtëpinë e tij në sesionin final të provave zyrtare, 1:30.995 duke fituar duelin me shokun e tij të skuadrës, Rosberg që kaloi vijën e finishit disa të qindëta më vonë, 1:31:224.
Dy makinat Red Bull shoqërojnë më pas. Vettel nga vendi i tretë dhe Mark Webber nga vendi i katërt. Në këto prova zhgënjimi i madh mban emrin Ferrari. Piloti i parë i “Kokëkuqes”, Fernando Alonso nuk shkoi dot më shumë se sa regjistrimi i kohës së dhjetë më të shpejtë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Felippe Massa i 12-ti.
Duke patur parasysh këtë rënditje, gara e së dielës pritet të jetë një duel mes Hamilton dhe Vettel, ndërsa nuk përjashtohet Rosberg që në vijën e startit është vënë mes tyre.
Gara për Cmimin e Madh të Britanisë zhvillohet të dielën në orën 14:00 dhe transmetohet drejtpërdrejtë në Top Channel.
Top Channel