Mustafa Nano – Dy gazetarë të portalit të njohur francez, Le Courrier
des Balkans (që fokusohet te çështje të Ballkanit), Philippe
Bertinchamps dhe Jean-Arnault Derens, kanë qenë në Shqipëri gjatë ditës
së votimit. Në mbrëmje ata kanë mundur t’i marrin një intervistë Ramës
që, ndonëse numërimi i votave ende nuk kish filluar, ish i sigurt në
fitore.
Dhe intervistën e kanë publikuar shpejt e shpejt në sajtin e tyre, nën titullin “Edi Rama, kryeministri dhe vdekja”. Vdekja? Po pse vdekja? Sepse në një moment të bisedës me gazetarët francezë, në fund të asaj bisede, Rama thotë diçka që atyre me të drejtë u ka bërë përshtypje. Ja ajo që Rama u ka thënë germë për germë: “Unë nuk u bëra Edi Rama nëpërmjet politikës. Unë isha Edi Rama përpara. Në qoftë se qëndroj [në politikë], është për të bërë diçka. Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk i çaj kryet për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes”.
Është përgjigje interesante, s’ke ç’thua. Një përgjigje që të mbetet në mendje. Rama nuk është se ua ka shtjelluar idenë e tij gazetarëve francezë. Bëhet fjalë për një bisedë krejt në të nxehtë, të bërë vetëm pak çaste pas mbylljes së kutive të votimit e para se të fillojë numërimi i votave, në një kohë që Rama ish i tendosur, i rraskapitur, i fikur. Por kjo që ka thënë nuk është një gjë që i ka shpëtuar. Nuk është se ia ka dhënë truri aty për aty si ide. E ka pasur të menduar.
Ma ka thënë dhe mua, në një rendezvous që kam pasur me të pas takimit të bujshëm e “historik” të Lalzit (është e fundit rendezvous që kam pasur me të). Nuk e mbaj mend si erdhi biseda, por nuk është e çuditshme që pas Lalzit (një dreq e di pse mendoj se takimi Rama-Meta ka qenë i njollosur apriori në rrugë toponimike. “Lalz”. Çfarë emri!) të flitej dhe mbi motivimet e dikujt për t’u marrë me politikë. Dhe Rama më foli për problemin që ai vetë ka me historinë. “Dua të lë një shenjë, një shenjë që të mbetet edhe kur unë nuk do të jem”, më tha pak a shumë. Dhe m’u duk se ma tha në mënyrën më naive të mundshme. Apo kështu më është dukur mua, ngaqë naiv jam vetë? S’kam ide. Për vdekjen nuk folëm, sidoqoftë. Këtë problemin që ai paska me vdekjen e mora vesh tani, nga intervista dhënë francezëve.
Ka ndonjë gjë të habitshme në këtë mes? Jo, asnjë. Secili prej nesh ka një problem me vdekjen. Secili prej nesh tërhiqet zvarrë në këtë jetë prej makthit të vdekjes, e prej dëshirës që na del nga rropullitë për të lënë një gjurmë që mbetet përjetësisht. Sipas meje, Berisha e ka më dramatik këtë makth. E dini pse e mendoj këtë? Sepse ai e fsheh faktin që e ka një problem me vdekjen. Në një intervistë që i kam marrë atij tri ditë para zgjedhjeve të vitit 2005, njëra prej pyetjeve (ishin 125 pyetje, për të cilat kërkoja përgjigje të shkurtra) ishte: Çfarë mendoni për vdekjen. Dhe përgjigjja e Berishës ishte trallisëse: Është gjëja që më preokupon më pak. Sipas meje, ai ka gënjyer. Dhe shyqyr që ka gënjyer. Përfytyroni sikur të jetë njimend e vërtetë se “vdekja është gjëja që e shqetëson më pak në këtë botë”. Brrrr!
Por le të kthehemi te Rama. Sipas meje, ka një problem te “problemi i Ramës me vdekjen e me historinë”. Ka një problem që nuk është më i Ramës. E them këtë, pasi kështu si e shtron Rama, i bie që gjithë frymëzimet, motivimet, zgjedhjet, skrupujt, vendimet, madje dhe idetë e idealet, ai i ka të ngritura mbi këtë problem të tijin. E prandaj problemi i Ramës është një problem i të gjithëve. Është i të gjithëve në kuptimin që ne nuk e dimë se kur mund ta quajë të zgjidhur Rama problemin e vet. Mund ta quante të zgjidhur kur fitoi për herë të parë kreun e bashkisë, por nuk ishte kështu dhe tentoi për herë të dytë. E fitoi dhe për herë të dytë, e mund ta quante fare mirë të zgjidhur, pasi la shenjë e bëri disa gjëra, por jo, tentoi për herë të tretë. Pastaj për herë të katërt, në një kohë që më anë tjetër pretendonte dhe karrigen e kryeministrit. Dhe ja ku jemi, u bë kryeministër, e dëshiron të bëjë disa gjëra, dëshiron të lërë shenja të tjera.
Ka një problem te problemi i Ramës me vdekjen e me historinë, pasi ka rrezik që për njerëz me një problem të tillë të pazgjidhur e të pazgjidhshëm, mund të ndodhë që të mos kenë rëndësi ca gjëra të tjera, të cilat te një politikan shihen me kujdes prej të tjerëve, siç mund të jenë përunjësia, llogaridhënia, ndershmëria, morali e opinioni publik, meraku për interesin publik dhe atë kombëtar etj., etj.
Rama, ashtu si dhe të tjerë si ai që e kanë shumë problem këtë problem, kanë një mënyrë për të dalë “të nderum” nga kjo grackë. Le ta mbajnë, dhe le ta kenë me okë, ambicien e pasionin e tyre për të lënë shenjë e gjurmë në histori, por në të njëjtën kohë ata duhet të bëjnë çmos t’i mbushin mendjen vetes, se ka gjëra që janë më të rëndësishme në këtë botë, dhe se – për ata që janë politikanë – ambicia e pasioni duhen përmbushur në respekt të rregullave të lojës, sidomos në respekt të zgjedhjeve të ndershme e të lira, në respekt të bashkëpunëtorëve e kundërshtarëve, në respekt të ligjeve të shtetit, e ç’është më e rëndësishmja, në respekt të faktit që ka dhe të tjerë që kanë po këtë problem me vdekjen, me historinë, rrjedhimisht që kanë po këtë ambicie e pasion për të bërë gjëra e për të lënë gjurmë.
Duket sikur këtë harron Rama, kur thotë atë që u ka thënë gazetarëve francezë. E nëse e harron gjithë kohën, nëse sublimon vetëm këtë hall të vetin, mund të vijë një moment, kur dëshira e tij për të bërë disa gjëra e për të lënë shenjë në histori mund të gjykohet, prej atij vetë, më gjenuine, më domethënëse e më e rëndësishme sesa rregullat ‘budallaqe’ të një lojë demokratike, se interesi ‘abstrakt’ kombëtar e publik, se nevoja ‘e pakuptimtë’ e të tjerëve për të mos rënë dakord me të e për ta konkurruar, etj., etj.
Dhe kjo është rrethana, kur halli i tij mund të bëhet halli i të tërëve. Larg qoftë!
Top Channel