Konfederatat, Spanja mposht sërish Italinë

28/06/2013 01:40

Italia humbet sërish ndaj Spanjës, si në finalen e Euro 2012, por këtë herë me penallti, 7-6.

Në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Konfederatave vendos gabimi nga pika e bardhë e 11-metërshit i Bonucci-t, e vetmja penallti e pashënuar në 13 gjuajtje në total.

“Azzurri”-t do të luajnë më 30 qershor “finalen” e vogël për vendin e 3-të, kundër Uruguajit në Salvador. Ndërsa në Rio, “La Roja” do të sfidojë Brazilin, pas një ecurie prej 26 ndeshjesh pa u mposhtur, edhe pse dje, ndaj Italisë, nuk është se shkëlqeu me lojën e saj.

Italia ka zhvilluar një ndeshje të mrekullueshme në pjesën e parë, por pa neglizhuar aspak edhe në të dytën, por në pjesët shtesë u mungoi shpirti i garës, për të cilin kishte folur Prandelli përpara kësaj sfide, kundër një rivali më të freskët dhe me më shumë yje individualë, si Spanja.

Deri në atë moment, Spanja kishte shfaqur një pamje më të bukur, vetëm falë shoqërueseve të Casillas dhe Pique, respektivisht Sara Carbonero në sallën e shtypit dhe Shakira në tribunë, më shumë se sa në fushën e blertë.

Nga gjuajtjet e penalltive nuk kanë gabuar emrat e mëdhenj të të dy skuadrave, portierët e të cilave nuk kanë mundur të presin asnjë goditje, por ka qenë mbrojtësi i Juventus, Bonucci, ai që ka gjuajtur mbi traversë të tijën, duke bërë që Italia të dilte e humbur.

Top Channel