Idrizi: Qëndrojmë në opozitë

28/06/2013 20:00

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitetit, Shpëtim Idrizi, në një intervistë për Top Channel ka hedhur poshtë të gjitha zërat për një bashkim të mundshëm me koalicionin e majtë, duke i quajtur ato spekulime mediatike.

Idrizi gjithashtu është ndalur dhe tek analiza e rezultatit të zgjedhjeve, duke e cilësuar atë shumë pozitiv, pasi PDIU në Parlamentin e ardhshëm do të përfaqësohet me 5 deputetë.

“Këto zgjedhje konfirmuan se PDIU është një parti që u trefishua pas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009, ndoqi trendin e vitit 2011 dhe tani është forca e katërt, që ka qenë përtej pritshmërive tona. Zërat për një afrim me koalicionin e majtë janë spekulime të shtypit, që qëndrojnë jashtë PDIU-së. Ne jemi votuar nga shqiptarët për kauza kombëtare dhe partia jonë qëndron pa ekuivok në pozicionin e saj”, ka deklaruar Idrizi.

Ai ka thënë se PDIU nuk ka pasur oferta të tilla dhe se nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e lojrave politike. “Nuk na ka ardhur dhe nuk presim të na vijë një ftesë e tillë. Gjithësesi, e uroj mazhorancën e re në punën e saj. Ne do çojmë përpara kauzat tona si rezoluta e çamërisë, si dhe për shqiptarët kudo që ata jetojnë, në mënyrë që të shkojmë në bashkimin e të gjithë shqiptarëve”, ka theksuar Idrizi.

Në fund të intervesitës, Idrizi ka komentuar dhe dorëheqjen e Sali Berishës, duke e cilësuar atë si një veprim normal në demokraci dhe se tashmë kjo duhet t’i shërbejë Partisë Demokratike për të bërë një ridimensionim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA