Tevez prezantohet: Dua Champions-in

27/06/2013 18:55

Carlos Tevez do të jetë futbollisti që do të mbajë në shpinë numrin 10 tek Juventusi, atë që deri pak kohë më parë ka qenë numri i legjendës Alessandro Del Piero, por argjentinasi nuk është i frikësuar nga një përgjegjësi e tillë.

“Marr përgjegjësinë e plotë për të përfaqësuar klubin dhe për të marrë numrin 10. Për mua është një sfidë dhe nuk jam i frikësuar. Tek Boca Juniors kam veshur fanellën me numrin 10 që e mbante Maradona. Për Del Pieron kam shumë respekt sepse është një simbol i Juventusit. Është kënaqësi të vesh fanellën e tij”, deklaroi ish-sulmuesi i Manchester City gjatë konferencës së prezantimit.

Më tej, Tevez theksoi se nuk e ka tradhëtuar Milanin: “Me Gallianin kam folur dy herë, vitin e kaluar donte të më afronte tek Milani, por nuk e di pse disa ditë më parë tha që nuk do e tradhëtoja.”

Duke folur për objektivat sezonalë, argjentinasi foli shkurt dhe qartë: “Dua Ligën e Kampioneve!”

Top Channel