Kupa e Konfederatave, Brazili siguron finalen

27/06/2013 02:10

Brazili kualifikohet për në finalen e Kupës së Konfederatave, pas fitores së vështirë e dramatike 2-1 ndaj Uruguajit.

Pas një tjetër dite me protesta në Belo Horizonte, ku demonstruesit anti-qeveritarë u përplasën me policinë, futbollistët e kombëtares u dhanë mbështetësve të tyre një frymëmarrje të shkurtër.

Një gol me kokë, në minutat e fundit, nga Paulinho mjaftoi për t’i çuar yjet e “sambas” në delir, pas një përplasjeje tepër të fortë me rivalët e tyre amerikano-jugorë.

Diego Forlan shpërdoroi një rast të artë nga pika e bardhë e 11-metërshit në pjesën e parë, përpara se Fred të kalonte në avantazh Brazilin.

Edinson Cavani barazoi në pjesën e dytë nga një distancë e vogël, por përpjekja e fundit e Paulinho-s i dha të drejtën vendit të tij të luante në finalen e këtij kompeticioni, me fituesen e çiftit tjetër gjysmëfinalist, Spanjën ose Italinë.

Sfidat mes këtyre dy vendeve, Brazilit e Uruguajit, kanë qenë gjithnjë shumë të dyluftuara, pasi brazilianët ende nuk e harrojnë humbjen e tyre në finalen e Kupës së Botës 1950, në Rio de Janeiro.

Top Channel