Tevez, (thuajse) juventin

26/06/2013 00:00

Carlos Tevez është goditja e parë e Juventusit në merkato. Administratori bardhezi, Beppe Marotta udhëtoi të martën për në Angli ku përfundoi me sukses bisedimet me skuadrën e Manchester City.

Sipas marrëveshjes së arritur, City do të përfitojë 9 milion euro menjëherë dhe 3 milion euro bonuse në varësi të paraqitjeve të lojtarit dhe suksesit të skuadrës. Ndërkohë, vetë Tevez e pret një kontratë 3-vjeçare ku do të përfitojë 5.5 milion euro në sezon.

Sipas mediave italiane, Tevez mbërrin pasditen e së mërkurës në Torino për të nënshkruar kontratën, ndërkohë që të enjten do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore. Sa për numrin që do të mbajë, në ambjentin bardhezi ka zëra që Tevez do të veshë fanelën me numër 10, një numër që deri para një sezoni mbahej nga një legjendë e Juventusit, Alex Del Piero.

Mbërritja e Tevez plotëson njërin nga kushtet për forcimin e skuadrës, e vendosura nga trajneri Antonio Conte kur pranoi zgjatjen e kontratës, ndërkohë që jashtë orbitës së merkatos së bardhezinjeve nuk kanë dalë ende as emra të tjerë.

Mediat italiane shkruajnë se Juventus vazhdon këmbënguljen për Jovetic, Zaza-n por edhe për mbrojtësin e Torinos, Ogbona. Bisedimet për sulmuesin e Fiorentinës kanë ngecur tek vlera e kartonit të lojtarit. Vjolët kërkojnë të paktën 30 mln euro, Juventusi, të paktën për momentin nuk duket i gatshëm të ofrojë më shumë se 20 mln.

Top Channel