Në KZAZ-në numër 29, ku po numërohen votat e komunave të qarkut të Tiranës, është shënuar një incident, ku është qëlluar kryetari i Komisionit Zonal, që administron votat e këtyre komunave, nga persona, të cilët janë paraqitur si përfaqësues të grupeve të numërimit të Partisë Demokratike.

“Persona të paautorizuar dhe të panjohur hynë brenda ambienteve dhe rrethimit. Në momentin që unë i pyeta se ku shkoni pa autorizim dhe pa asgjë fare, patëm një konfrontim, një përplasje”, u shpreh Ardian Yzeiri, kryetar i KZAZ 29.

TCH: Ato erdhën dhe u drejtuan te tavolina e komisionit apo…?

“Po rrinin përpara tavolinave të numërimit, me kurriz nga tavolinat e komisionit dhe patëm konfrontime”, u shpreh Yzeiri.

Në këtë KZAZ ka përfunduar numërimi për komunat Kërrabë, Petrelë, Farkë, Baldushk, Zall-Bastar dhe Ndroq. Ndërkohë që janë duke u numëruar votat për komunën Pezë dhe Vaqarr. Nga rezultatet e deritanishme është në avantazh Partia Socialiste.

Por, kandidatët për deputetë të PS dhe PD japin variante të ndryshme rreth incidentit.

“Ka pasur një konfrontim fizik me disa persona, që erdhën të shoqëruar nga kandidati për deputet i PD-së, Keltis Kruja. Konkretisht ishin 8 persona, që hynë direkt në ambientet e ZAZ-së 29 dhe u ulën në tavolina pa paraqitur asnjë dokument identifikimi, as ndonjë autorizim se kush ishin dhe për cfarë ishin aty, dhe në momentin kur kryetari i ZAZ-së u kërkoi të identifikoheshin e të dilnin përjashtë, direkt e goditën me grushta dhe krijuan tension në ZAZ. Aktualisht po numërohet komuna e Pezës dhe pas saj është komuna e Vaqarrit. Janë dy nga bastionet historike të Partisë Socialiste, ku mendohet që rezultati të thellohet minimalisht me 4 mijë vota të tjera në favor të PS dhe, si duket, kandidati përgjegjës i rrethit të Tiranës, Keltis Kruja, nuk e pranon humbjen e thellë, por jo vetëm në këto komuna, në të gjitha ato, edhe në bastionet e PD-së në rrethin e Tiranës”, është shprehur Artan Gaci, kandidat për deputet i PS-së.

“Personat, që quhen të paautorizuar kanë qenë numërues të PD-së. Sigurisht që kanë qenë në konsensus me komisionin. Nuk e di pse kryetari i komisionit e krijoi këtë incident. Unë nuk pashë që të qëllohej kryetari i KZAZ-së, përkundrazi pashë personat, përfaqësues të PS-së që u futën brenda ambienteve të numërimit, e cila është rreptësisht e ndaluar nga kodi zgjedhor. Megjithatë, unë besoj se këto janë tentativa për të prishur procesin. Nuk e di pse i bëjnë tani, duke qenë se janë edhe kaq euforikë për fitoren”, ka thënë Keltis Kruja, kandidat për deputet i PD-së.

Top Channel