Ashton e Fyle: Zgjedhjet ishin të mira

25/06/2013 00:00

Në një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet e së dielës, përfaqësuesja e
Lartë e Bashkimit Europian Catherine Ashton dhe Komisioneri per
Zgjerimin Stefan Fyle përgëzojnë qytetarët shqiptarë për zgjedhjet
parlamentare që u zhvilluan në mënyrë të rregullt.

“Tani duhet garantuar ndjekja e duhur e gjetjeve paraprake dhe konkluzioneve të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet ne deklaraten e tyre.

Sipas Ashton dhe Fyle, tani është e rëndësishme që stadet e mbetura të procesit zgjedhor të kryhen në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të veprojnë me frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar”, vijon deklarata.

“Sapo të certifikohen rezultatet, të krijohet menjëherë qeveria për trajtimin e sfidave të menjëhershme që ju presin për të garantuar që programi i reformave të vendit do të ndiqet fuqimisht dhe që procesi i integrimit evropian të mund të fitojë një vrull të ri”, perfundon deklarata e perbashket e Përfaqësueses se Lartë te Bashkimit Europian Kathrine Ashton dhe Komisioneri per Zgjerimin Stefan Füle.

Top Channel