Zgjedhjet në syrin e mediave të huaja

24/06/2013 00:00

“Zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Shqipëri nuk i shpëtuan modelit të shpalljes së fitores nga të dyja palët, pa pritur certifikimin e tyre nga institucionet përkatëse.”

Komenti shpotitës i “Deutsche Welle” gjen pasqyrim edhe në media të tjera të huaja, edhe pse thjesht si relatim. Nga BBC, USA Today, Reuters, Associated Press, Huffington Post apo Boston Herald, lajmet e përcjella për zgjedhjet në Shqipëri nisin me pretendimet e të dy liderëve kryesorë politikë në garë për triumf në votime, mbështetur në të dhënat paraprake që disponojnë.

“Lideri i opozitës, Edi Rama, tha se “Shqipëria votoi dhe zgjodhi Rilindjen, fitorja në kuti është e thellë”. Pas tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi fitoren e koalicionit të majtë duke e quajtur si një “fitore plebishitare për opozitën” me 80 mandate të siguruara deputetësh e po keshtu, edhe Majlinda Bregu shpalli se Partia Demokratike është gati ta udhëheqë sërish Shqipërinë. Zgjedhjet në Shqipëri, një prej vendeve më të varfra të Europës, janë shenjuar nga dhuna dhe manipulimet që prej rrëzimit të komunizmit dy dekada më parë”, thotë BBC.

Dhe kjo herë nuk përbën përjashtim. Vrasja e simpatizantit të opozitës në Laç e errësoi imazhin e këtyre votimeve, bashkë me incidente të tjera ndër të cilat USA Today përmend dhunën ndaj ekipit të Top Channel.

Top Channel