Kur janë numëruar rreth 53 përqind e votave, Aleanca për Shqipërinë Europiane e udhëhequr nga Partia Socialiste kryeson në të gjitha qarqet e vendit, me përjashtim të qarkut të Kukësit, ku në avantazh është Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim e kryesuar nga Partia Demokratike.

Normal
0

false
false
false

EN-US
X-NONE
X-NONE

MicrosoftInternetExplorer4

Lezhë, ASHE 4 mandate, APMI 3 mandate

Edhe në qarkun e Lezhës e majta është në avantazh me një
diferencë prej më shumë se 3 mijë votash. Sipas votës së hedhur e të numëruar
deri më tani, ndarja e mandateve në këtë qark është 4 mandate për Aleancën e
majtë dhe 3 mandate për Aleancën e djathtë.

Korçë, thellohet avantazhi i së majtës

Në qarkun e Korçës sa vjen e thellohet avantazhi i së majtës. Deri tani diferenca mes Aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe asaj për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim ka arritur në 20.404 vota.

Nga informacionet e fundit të korrespondentëve tanë mësohet se në votat e së majtës vetëm LSI ka 10.288 vota. Koalicioni i majtë gëzon gjithashtu avantazh në rrethin e Devollit, ku ka fituar në komunën e Bilishtit, si dhe në zona të tjera me diferencë të konsiderueshme votash.

Ndërkohë, numërimi ka përfunduar në KZAZ-në numër 69 që përfshin fshatërat Maliq, Mollaj, Moglic, Voskopojë, etj, edhe këtu me fitoren e së majtës. Edhe në KZAZ-në numër 70 kryeson e majta me mbi 2 mijë vota diferencë mbi të djathtën.

Në Korçë janë pa numëruar 26 kuti nga 601 që ka gjithësej rrethi. Deri tani mësohet se 12.594 vota ka marrë koalicioni i udhëhequr nga PS dhe 7.405 ai i drejtuar nga PD.

Në zonën 72, ku bëjnë pjesë Liqenasi, Pojani dhe disa zona të tjera, është e vetmja ku vërehet një epërsi e vogël PD me 74 vota ndaj së majtës. Ndërkohë, në Pogradec janë numëruar 25 nga 39 kuti, ku udhëheq koalicioni i majtë.

Deri tani kanë mbaruar 6 nga 8 ZAZ-të e qarkut të Korçës, me ato të këtij qyteti dhe të Pogradecit që do të vijojnë punën deri në mëngjes.

Elbasan, ASHE 8 mandate, APMI 6 mandate

Në Elbasan ritmet e numërimit janë të kënaqëshme. Deri më tani dy koalicionet kanë marrë këtë numër votash: ASHE  50442 vota 8 mandate, APMI 35270 6 mandate.

Ndarja e mandateve sipas votës së hedhur deri më tani për qarkun e Elbasanit, sipas përllogaritjeve të partive janë: PS 6 mandate, LSI 2 mandate, PD 4 mandate, PDIU 1 mandat dhe PR 1 mandat.

Shkodër, konsolidohet fitorja e së majtës

Ndërsa Qarku i Shkodrës po i afrohet numërimit të totalit të 2/3 të votave, fitorja e së majtës duket se po vazhdon të konsolidohet orë pas ore.

Në raportimin e tij në kohë reale, gjatë edicionit qëndror të lajmeve, i dërguari ynë në Shkodër, Sokol Bregu, informoi se tashmë diferenca është thelluar në rreth 6 mijë vota në favor të së majtës.

Në total, nga rreth 63 vota të numëruara, e majta ka fituar 33 400 vota, ndërsa koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike, 27 600 vota.

Bie në sy rritja e madhe dhe progresive pas çdo kutie të numëruar e Lëvizjes Socialiste për Integrim, tashmë në nivelin e 7 500 votave dhe pothuajse e sigurt për fitimin e mandatit të saj të parë historik, në këtë qark.

Përsa i përket procesit të numërimit, mbeten edhe 38 mijë vota ende të panumëruara. Procesi ka avancuar më shpejt në Pukë, në ZAZ numër 8, ku puna ka përfunduar.

Rezultati përfundimtar në rrethin e Pukës sheh fitues me mbi 2 200 aleancën e majtë, fituese e 6 513 votave, ndaj 4 237 të koalicionit për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim.

Procesi po ecën më ngadalë në kutitë e Malisë së Madhe, ku numërimi ka nisur me vonesë dhe vetëm 1/8 e kutive janë numëruar deri tani. Ashtu si në pjesën dërrmuese të vendit, edhe në Qarkun Shkodër, numërimi pritet të përfundojë gjatë së martës.

Në këto kushte, pritet që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike të fitojnë secila nga pesë mandate në Shkodër, plus një mandat për LSI, që do të çonte bilancin e përthishëm të Qarkut në 6-5 majtës.

Mes forcave të tjera politike, Partia Republikane ka grumbulluar 2 933 vota, por është larg marrjes së një mandati brenda koalicionit. Zhgënjyese edhe të dhënat e FRD-së, në nivelin e 1 047 votave deri tani dhe pothuajse të papërfillshme kuotat e Alencës Kuqezi, të mbetur në 210 vota.

Fier, raporti 11-8 mandate për të majtën

Në KZAZ-në 60 në qarkun Fier ka përfunduar numërimi për 31 qendra votimi. Procesi vijon i ngadaltë për shkak të kushteve atmosferike që ndihen në ambjentet e votimit.

PS këtu kryeson ndjeshëm me një raport 3-1 ndaj PD, të ndjekura nga LSI, PDIU dhe kandidati i pavarur Dritan Prifti. Ka përfunduar ndërkohë numërimi për komunën Qendër, ku kryeson e majta.

Deri pak momente më parë në këtë qark rezultonin 211 kuti të numëruara nga 576 gjithësej, me Aleancën për Shqipërinë Evropiane që kryesonte me 45.149 vota kundrejt 21.680 votave të së djathtës, me një raport total prej 11-8 mandate.

Në Roskovec procesi u ndërpre në orën 18 dhe rinisi rreth një orë më vonë. Vonesat në numërim u verifikuar që në fillim të procesit, pasi PD solli me vonesë numëruesit e saj, përkatësisht rreth orës 3 të natës.

Me të ardhur në KZAZ ata u trajnuan nga përfaqësuesit e KQZ-së dhe në shumicën e KZAZ-ve numërimi nisi rreth orës 03:30. Në një KZAZ dha dorëheqjen përfaqësuesja e PD, duke bërë që procesi të shtyhej edhe më tej.

Durrës, numërohen 107 kuti, kryeson PS

Në Durrës deri në këto momente janë numëruar 107 kuti votimi nga 446 që
janë gjithësej, me PS që ka marrë 15.663 vota, PD 12.650 dhe LSI 3028.

Ndërkohë, në KZAZ-në numër 44 dhe në atë numër 48 ka rifilluar procesi i
numërimit, pas një ndërprerjeje që u bë paradite për një pushim të
komisionerëve.

Ndërkohë, në bashkinë e Shijakut rezulton një bilanc prej 2.574 vota për
bllokun e majtë Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe 2.338 Aleanca për
Punësim, Mirëqënie dhe Integrim.

Ndërsa në rang qarku bilanci i mandateve është 7 me 6 në favor të
aleancës së majtë të udhëhequr nga Partia Socialiste, përkatësisht 20.534 me 18.501 vota.

Dibër, PD humb bastionin e Bulqizës

Në qarkun e Dibrës janë numëruar 112 kuti nga 264 dhe deri tani rezultojnë 18.998 vota për PS, 15.744 për PD, 1.040 për FRD dhe 150 për Aleancën Kuqezi.

Qendra e numërimit e Peshkopisë ka avancuar më shumë se të tjerat duke numëruar mbi 89 kuti. Ndërsa nga Mati mund të vijë një ndryshim rezultati pasi nuk është numëruar ende shumica e kutive.

Në Burrel, PS ka një avantazh më të thellë ndaj PD se ai i regjistruar në zgjedhjet e vitit 2009. Gjithashtu, PD ka humbur Bulqizën që dikur ishte bastioni i saj.

Deri tani, nga numërimi i 18 kutive në këtë komunë rezulton: aleanca e majtë 3.770 vota, 772 prej të cilave vetëm nga LSI. Numërimi po vijon i qetë.

Tiranë, numërimi me ritme të ngadaltë


Procesi i numërimit vijon me ritme të ngadalta në Tiranë.Kështu në KZAZ-në që po numëron votat e njësisë numër 5, nga 111 kuti votimi janë numëruar 26 prej tyre dhe PS ka grumbulluar 4527 vota, PD 2284 dhe LSI 803.

Ndërsa në KZAZ-në që po numëron votat e njësisë numër 8, deri më tani rezulton që Partia Demokratike kryeson me 4999 vota, PS grumbulloi 4955 vota, LSI 758 vota dhe FRD 468.

Pritet që pas mesnatës votimi në këtë njësi të përfundojë.

Vlorë, numërimi drejt fundit

Qarku i Vlorës ka ecur me ritme të mira sa i takon procesit të numërimit dhe gjasat janë që procesi të mbyllet brenda pak orëve të ardhshme.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se Aleanca e majtë ka fituar deri më tani 58723, Aleanca e djathtë 27631 vota dhe FRD 793 vota.

Ndërkohë kandidati i pavarur Arben Malaj ka marrë mbi 1 mijë vota, por është larg marrjes së mandatit të deputetit.

Pjesëmarrja në zgjedhje nuk ka qenë në nivelet maksimale, por
gjithësesi më e lartë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, kur
ishte 39 për qind. 

Gjirokastër, PS: Sigurojmë 4 mandate

Në Qarkun e Gjirokastrës vazhdon numërimi. Nga të dhënat e fundit të siguruara nga gazetarët e Top Channel në këtë qark, aleanca e majtë ka siguruar 8512 vota e përkthyer në 4 mandate, ndërsa aleanca e djathtë 3851 vota përkthyer në një mandat.

Në Gjirokastër janë numëruar 14 kuti nga 120 kuti në total, në Përmet numërimi vazhdon, në Tepelenë janë numëruar 19 nga 63 kuti. Numërimi është ndërprerë për të rinisur në orën 20:00. Në total në qarkun e Gjirokastrës janë numëruar 53 kuti.

Duke folur për Top Channel, kryesuesi i listës së Partisë Socialiste në Gjirokastër, Arben Ahmetaj deklaroi se mandati i katërt i aleancës së majtë është i sigurtë dhe me një zonë sigurie të paktën deri më tani, prej rreth 1400 vota.

Ahmetaj u shpreh i bindur në fitoren 4-1 të së majtës në këtë qark, ndërsa pyetjes se kujt partie brenda aleancës i shkon mandati i katërt deklaroi: “Katër mandate janë të koalicionit. E rëndësishme është që aleanca e PD merr vetëm një mandat, ndërsa aleanca jonë merr katër. Tre mandate të PS janë të garantuara dhe një është nga nga aleatët tanë, LSI është e garantuar me mandatin e vet”.

Ndarja e mandateve sipas votave të numëruara deri më tani. Projeksioni në rang kombëtar, koalicioni i majtë ASHE 84, koalicioni i djathtë APMI 56

Qarku Tiranë, koalicioni i majtë ASHE 19 mandate, koalicioni i djathtë APMI 13 mandate

Qarku Elbasan, koalicioni i majtë ASHE 8 mandate, koalicioni i djathtë APMI 6 mandate

Qarku Durres, koalicioni i majtë ASHE 7 mandate, koalicioni i djathtë APMI 6 mandate

Qarku Shkodër, koalicioni i majtë ASHE 6 mandate, koalicioni i djathtë APMI 5 mandate

Qarku Fier, koalicioni i majtë ASHE 11 mandate, koalicioni i djathtë APMI 5 mandate

Qarku Vlorë, koalicioni i majtë ASHE 8 mandate, koalicioni i djathtë APMI 4 mandat

Qarku Korçë, koalicioni i majtë ASHE 7 mandate, koalicioni i djathtë APMI 5 mandate

Qarku Berat, koalicioni i majtë ASHE 6 mandate, koalicioni i djathtë APMI 2 mandate

Qarku Lezhë, koalicioni i majtë ASHE 4 mandate, koalicioni i djathtë APMI 3 mandate

Qarku Gjirokastër, koalicioni i majtë ASHE 4 mandate, koalicioni i djathtë APMI 1 mandat

Qarku Kukës, koalicioni i majtë ASHE 1 mandat, koalicioni i djathtë APMI 3 mandate

Qarku Dibër, koalicioni i majtë ASHE 3 mandate, koalicioni i djathtë APMI 3 mandate

Top Channel