Ullrich: Jam dopuar, por nuk jam penduar

22/06/2013 20:00

Ish-fituesi i Turit të Francës, Jan Ullrich, pranoi për herë të parë faktin që është dopuar këtë të shtunë.

Kundërshtari më i ashpër i Lance Armstrong, në atë që konsiderohet tashmë si etapa më e errët në historinë e çiklizmit, ishte pezulluar nga sporti pasi kishte rezultuar pozitiv, por ai vazhdonte të mbështeste prej vitesh pafajësinë e tij.

“Nuk jam më i mirë se Armstrong, por as më keq. Jam si të gjithë çiklistët e epokës sime”, deklaroi çiklisti gjerman, i cili tashmë pritet të zhvishet përfundimisht nga titulli i Turit të Francës së vitit 1997.

“Pothuajse të gjithë në atë kohë merrnin substanca për përmirësimin e rendimentit të tyre sportiv. Ishte një kusht i domosdoshëm për këdo që dëshironte të ishte i suksesshëm”, tha Ullrich.

Fitues i një medalje të artë dhe një të argjendte në Lojrat Olimpike të Sidneit 2000, Ullrich ka një këndvështrim interesant, mbi pafajësinë që ai pretendon se ruajti edhe duke u dopuar. “Të mashtrosh, për mua është të fitosh një avantazh të padrejtë ndaj të tjerëve. Ajo që unë kam bërë, ishte vetëm të siguroja për veten kushte të barabarta me kundërshtarët”, theksoi Ullrich.

Top Channel