Spanjë, Messi thirret në gjyq për evazion

21/06/2013 01:00

Një gjykatë spanjolle ka thirrur futbollistin e Barcelonës, Lionel Messi, për t’u paraqitur në gjyq më 17 shtator në lidhje me akuzat për evazion fiskal.

25-vjeçari argjentinas, i cili është shpallur 4 herë fitues i “Topit të Artë”, si dhe i ati i tij akuzohen se kanë mashtruar autoritetet spanjolle për një shumë mbi 4 milionë euro.

Ata dyshohen se kanë përdorur kompani jashtë Spanjës, në Belize dhe Uruguaj, për të shitur të drejtat e përdorimit të imazhit të Messi-t. Të dy ata i mohojnë këto akuza.

Paga neto e Messi-t te Barcelona thuhet se është rreth 16 milionë euro në sezon, duke e bërë atë një nga sportistët (jo vetëm futbollistë) më të paguar në botë. Ai ka nënshkruar gjithashtu edhe një marrëveshje disa milionëshe (dollarë) me sponsorat komercialë anembanë botës.

Lojtari dhe babai i tij, Jorge, akuzohen se kanë mashtruar 3 herë shtetin spanjoll në lidhje me taksat. Të ardhurat nga të drejtat e imazhit të tij përfshijnë kontratat me Banco Sabadell, Danone, Adidas, Pepsi-Cola, Procter and Gamble dhe Kuwait Food Company.

Nëse shpallet fajtor, Messi mund të përballet me një dënim prej 6 vjetësh burgim dhe një gjobë të majme, sipas agjencisë së lajmeve Efe, në Spanjë.

Messi shkroi në faqen e tij në Facebook, pas akuzave që u bënë publike javën e kaluar: “Nuk kemi shkelur asnjëherë ndonjë ligj. Kemi përmbushur gjithnjë detyrimet tona fiskale”.

Top Channel