Ashtu siç pritej, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për një seancë tjetër ratifikimin e Projektligjit të marrëveshjes me Serbinë, pas kërkesës së kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Bruksel për takimin e radhës me kryeministrin serb, Daçiç.

Shtyrja është mirëpritur nga bashkëpartiaku i kryeministrit Thaçi, deputeti Arsim Bajrami. Ai e ka parë të nevojshme, që Brukseli të bëjë presion te Beogradi zyrtar, në mënyrë që edhe Kuvendi i Serbisë të bëjë ratifikimin.

“Ne presim, që procesi i ratifikimit të jetë i njohësishëm, të jetë edhe në Kosovë edhe në Serbi, dhe kërkojmë nga Bashkimi Europian që të ushtrojë presion tek autoritetet serbe, që edhe ata të hyjnë në proces të ratifikimit, sepse marrëveshja do të merrte atribute ndërkombëtare, në qoftë se nënshkruhet njëkohësisht nga të dy shtetet sovrane dhe të pavarura”, tha Arsim Bajrami, deputet i PDK.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se në çdo dokument duhet ta konsiderojë marrëveshjen si dokument ndërkombëtar, kurse deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, shprehet se, pavarësisht deklaratave nga Serbia, marrëveshja është ndërshtetërore.

“Natyrisht që Serbia nuk po e konsideron marrëveshjen si ndërkombëtare dhe ky është problemi kryesor. Kjo është sjellja e njëjtë e Serbisë në raport me Kosovën. Kosova në çdo raport duhet ta konsiderojë atë si dokument ndërkombëtar, marrëveshje ndërkombëtare dhe parlamenti, si institucioni më i lartë, duhet ta respektojë Rezolutën, e cila thotë se çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ratifikohet”, tha Lutfi Haziri, deputet i LDK.

“Për ne si AAK, kjo marrveshje është ndërshtetërore, sepse Kosova ështe e pavarur dhe Serbia është e pavarur, ndaj dhe për të gjthë ata të cilët nuk e shohin marrëveshjen ndërshtetërore, sikurse nuk e sheh Serbia, atëherë le të mendojnë të mos e ratifikojnë. Ne do ta ratifikojmë dhe atë sa më shpejt”, tha Burim Ramadani, deputet i AAK.

Por, në dallim nga këto tri parti, në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila kundërshton marrëveshjen me Serbisë, kanë deklaruar gjatë së enjtes se marrëveshja tashmë ka filluar të zbatohet, ndonëse nuk është ratifikuar ende.

“Kjo marrëveshje po e përdhos rendin procedurial të institucioneve tona. Ajo është futur në rendin e ditës për seancën e sotme, e tani është raportuar se është kërkuar nga kryeministri të shtyhet për javën e ardhshme, pa e marrë asnjëherë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për kushtetueshmërinë e saj. Ndërkohë që, efektet e saj tashmë kanë filluar të marrin formë. Pra, edhe ajo që po thuhet se kërkon ratifikim, po gjen zbatim pa u ratifikuar”, tha Visar Ymeri, deputet i VV.

Sidoqoftë, për t’u ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare kërkohën të paktën 80 vota, nga 120 në total. Gjatë muajit prill, 89 deputetë patën mbështetur Rezolutën e qeverisë, që përkrah marrëveshjen e arritur me Serbinë në Bruksel.

Top Channel