FIFA: Kupa e Konfederatave nuk pezullohet

21/06/2013 19:55

Ndërsa Brazili është përfshirë nga protesta të dhunshme, kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shpenzimeve masive për ndërtimin e infrastrukturës së Botërorit 2014 e Lojrave Olimpike të 2016-s, FIFA mohoi çdo spekulim mbi pezullimin e mundshëm të Kupës së Konfederatave.

Një mundësi e përfolur gjerësisht në mediat braziliane, pezullimi nuk është një mundësi reale, sipas organizmit më të rëndësishëm të futbollit botëror. “Deri më tani, FIFA dhe Komiteti Organizues i Kupës së Konfederatave nuk kanë shqyrtuar në asnjë çast mundësinë e pezullimit të kompeticionit”, shkruhej në nëj deklaratë të FIFA-s.

Megjithatë, e vërteta e publikuar në faqet e të përditshmes “Estado de Sao Paulo” ishte tërësisht e ndryshme, nga ajo që raportohet zyrtarisht prej FIFA-s.

Sipas gazetës, kombëtaret pjesëmarrëse në Kupën e Konfederatave ndihen të frikësuara nga trazirat dhe aktualisht, FIFA është duke zhvilluar negociata të ethshme, për t’i bindur që të mos largohen nga vendi përpara përfundimit të turneut.

“Kompeticioni është shndërruar në një problem serioz për FIFA-n, e cila nuk imagjinonte se evenimenti do të ishte perfekt, por shkalla e këtyre problemeve nuk ishte e parashikuar dhe as përshkallëzimi i protestave në këtë pikë. Aktualisht, po negociohet për të bindur përfaqësueset që të vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa Brazili rrezikon penalitete dhe gjoba të rënda nëse Kupa do të anullohet”, shkruante të premten “Estado de Sao Paulo”.

Ndërkohë, të premten u regjistrua edhe viktima e parë e këtyre protestave, një 18-vjeçar i vrarë në ballafaqimin me forcat policore.

Top Channel