Ancelotti tek Reali, Blanc merr Paris SG

21/06/2013 19:20

“Telenovela” tashmë duket se ka marrë fund dhe në orët në vazhdim, Ancelotti pritet të konfirmohet zyrtarisht si trajneri i ardhshëm i Realit të Madridit.

Një tratativë që përflitet prej kohësh, ajo e trajnerit italian në “Santiago Bernabeu” tashmë duket e konkretizuar, pasi televizioni “BelNsport”, në pronësi të sheikut që zotëron edhe Parisin, raportoi për emërimin e Blanc në krye të kampionëve të Francës, pasditen e së premtes.

Një zhvillim i tillë i hap rrugën zyrtarimit të Ancelottit tek Reali, klub që besohet se pagoi rreth 8 milionë euro, për prishjen e kontratës së ish-trajnerit të Juventusit, Milanit dhe Chelsea, me “Parc des Princees”.

Aktualisht, duhet ende të përcaktohen detajet e punësimit të secilit prej dy trajnerëve të rinj me klubet e tyre përkatëse, por tashmë tek Reali mund të nisë planifikimin e merkatos për sezonin e ardhshëm, me Iscon, i preferuar prej Ancelottit dhe presidentit Perez, që pritet të jetë goditja e parë.

Përsa i përket Parisit, mësohet se zëvendësi i ish-trajnerit të Francës, Laurent Blanc, do të jetë Jean-Louis Gasset, i cili ka shoqëruar trajnerin që në kohën kur drejtonte Bordonë, vite më parë.

Top Channel