Venus, 5 herë fituese, tërhiqet nga Wimbledon

19/06/2013 03:50

5 herë kampionia Venus Williams është tërhequr nga kampionati i javës së ardhshme në Wimbledon, për shkak dëmtimi.

33-vjeçarja nuk ka munguar në një turne me fushë bari, që kur ka debutuar për herë të parë në 1997, por vuan nga një dëmtim në shpinë gjatë muajve të fundit.

“Për fat të keq, nuk do të mund të marr pjesë në Wimbledon këtë vit”, shkroi tenistja amerikane në faqen e saj në Facebook. “Jam tmerrësisht e zhgënjyer, pasi e kam adhuruar gjithmonë këtë kampionat, por më duhet kohë, që shpina ime të shërohet. Do të përpiqem të rikthehem sa më shpejt të mundem në garë”.

Williams pësoi eliminimin e parë në 12 vite, në fazat e para, në French Open-in e muajit të kaluar, kur u mposht në raundin e parë nga tenistja polake Urszula Radwanska.

Ajo tha se dhimbja në shpinë e ka shqetësuar gjatë ndeshjes dhe më pas u tërhoq edhe nga gara dyshe me motrën e saj Serena, numrin 1 në botë, për shkak të atij problemi.

Në mars, kampionia e 7 titujve “grand slam” u detyrua të tërhiqej nga Miami Masters, për shkak të së njëjtës dhimbje në fundshpinën e saj.

Tërheqja e Venus-it i mohon numrit 34 në botë shansin për të kapërcyer Serena-n në këtë kampionat, teksa të dy motrat janë në kuotën e barabartë prej 5 titujsh individualë secila.

Top Channel