Në zgjedhjet lokale, të cilat do të organizohen në Mitrovicën e Veriut në bazë të marrëveshjes Kosovë–Serbi, për herë të parë nuk do të kenë të drejtë të garojnë partitë serbe nga Serbia, por vetëm partitë serbe që përfaqësojnë serbet e Kosovës.

Ky është zotimi i kryeministrit kosovar, Hashim Thaci dhënë eksluzivisht për “Top-Channel”. Ai bëri të qartë se asnjë parti që nuk certifikohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor nuk do të mund të zhvillojë aktivitete brenda kufijve të Kosovës.

“I gjithë spektri politik që dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje duhet të regjistrohet në Kosovë, e të punojë sipas standarteve dhe ligjeve kosovare. OSBE do të monitorojë zgjedhjet, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, ndërsa certifikimi do të bëhet prej Komisionit Qëndror Zgjedhor të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes, kryeministri kosovar thotë se ajo vetëm sa ka nisur të zbatohet në terren.

Ai beson se dalëngadalë, qytetarët serbë të Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve nga zërat në Beograd dhe Prishtinë do t’i binden realitetit.

Me tej, Thaçi jep garanci që marrëveshja nuk shkel kushtetushmerinë dhe sovranitetin e vendit. Megjithatë, e pranon që takimet me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, nuk ishin aspak të këndëshme.

“Negociatat në fillim nuk kanë qenë të lehta, por mjaft të vështira. Kemi pasur një debat jo të këndshëm, por që gradualisht kemi punuar duke treguar vullnetin e mirë, që negociatat të kishin një frymë sa më konstruktive”, komentoi kryeministri i Kosovës.

Duke komentuar arrestimet e fundit të ish-komandantëve dhe ish-ushtarëve të UÇK-së, kryeminstri u shpreh i bindur në pafajësinë e bashkëluftëtarëve të tij.

Ai theksoi se, drejtësia do të jap vendimin më të cilin edhe një herë ku do ta vulosë luftën e pastër të UÇK-së. Ndër të tjera, Thaçi bëri të ditur se në të ardhmën e afërt Kosova do të hapë gjykatën e saj speciale, e cila do të merret me krimet e luftës.

Duke komentuar zerat kundër brenda partisë së tij, veçmas të mundësisë së largimit të kryetarit të Kuvendit z.Jakup Krasniqi, kryeministri tha se partia që ai drejton është në përparim e sipër të prurjeve të reja, duke lënë të kuptohet se edhe në rast të lagimit të zotit Krasniqi, partia e tij sërish do të triumfojë në zgjedhjet e ardhshme.

Në fund, kryeministri kosovar kishte një mesazh për zgjedhjet në Shqipëri. Duke vlerësuar lart zhvillimin e fushatës elektorare në Shqipëri, ai uroi spektrin politik në Tiranë për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke shpresuar që nga këto zgjedhje shteti shqiptar të ecë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Natyrisht që Shqipëria është pjesë e interesimit të jetës e angazhimeve tona e kudo që jemi, angazhohemi për sukseset e Shqipërisë. Uroj lidershipin për votimin e tre ligjeve, që ishte një lajm shumë i mirë për shqiptarët, ndërsa për atë që nëse do të votojnë majtas apo djathtas, masazhi im është që të uroj të gjithë shqiptarët për fushatën e tyre pasqyruese, të mrekullueshme, konkurrencës së ideve e projekteve. Besoj fuqishëm që shqiptarët do të dinë të votojnë për njerëzit e tyre dhe siguroj që pozicioni i spektrit politik kosovar është në mbështetje të Shqipërisë”, tha kryeministri Thaçi, mbi zhgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri.

Top Channel