Spanja, 5 vite, 7 tituj

19/06/2013 16:50

1 Botëror, 2 Europiane, 2 Europiane U-21 dhe 2 Europiane U-19 janë titujt e përfaqësueses spanjolle në kategori të ndryshme në 5 vitet e fundit. Një cikël ndoshta i papërsëritshëm dhe një etapë që nuk ka të krahasuar e që nuk dihet se kur do të përfundojë.

Ndërkohë që kombëtarja spanjolle aktualisht po lufton edhe për Kupën e Konfederatave, i hedhim një sy sukseseve të “La Roja”-s që nisën në vitin 2008.

Kampionati Europian 2008 – Do të mbahet mend si hapja e një cikli të jashtëzakonshëm. Skuadra e drejtuar nga veterani Luis Aragones fitoi një trofe të rëndësishëm pas shumë vitesh thatësire. Aty nisi stili i lojës që në Spanjë quhet “tiki-taka” dhe që konsiston në pasime të shumta deri në gjetjen e hapësirës për të goditur portën. Gjermania ishte viktima e parë. Torres shënoi golin e vetëm të finales së Vjenës.

Botërori 2010 – Pasi humbën ndeshjen e parë ndaj Zvicrës, shumë pak prisnin që Spanja të fitonte titullin më të rëndësishëm në futboll, por ekipi i drejtuar tashmë nga Vicente Del Bosque arriti suksesin më të madh në historinë e futbollit spanjoll duke mundur Hollandën në finale. Iniesta, heroi i ndeshjes.

Kampionati Europian 2011 (U-19)
– Në Rumani, spanjollët e vegjël fituan falë golave të Alvaro Moratës (sulmuesi i Real Madrid). Në finale mundën Republikën Ceke pasi koha e rregullt përfundoi në barazim.

Kampionati Europian 2011 (U-21) – Në Danimarkë, 21-vjeçarët e Milla mundën në finale Zvicrën me gola të Ander Herrera dhe Thiago. Në këtë kompeticion ra në sy Juan Mata, lojtari që tashmë luan me Chelsea.

Kampionati Europian 2012 (U-19) – Në Estoni, ishte Greqia ajo që nuk mundi dot t’i bënte ballë Spanjës në finalen e një turneu që u dominua nga “La Roja”. Në këtë kompeticion spikatën Jese, Deulofeu dhe Alcacer.

Kampionati Europian 2012
– Spanja e madhe mundi në finale Italinë me rezultatin 4-0 duke bërë të qartë se cikli i kësaj Spanje nuk kishte përfunduar. Iniesta ishte lojtari më i mirë i turneut, ndërsa Torres u shpall golashënuesi më i mirë.

Kampionati Europian 2013 (U-21) – Sërish Italia nuk i bën dot ballë Spanjës, kësaj radhe në Europianin e 21-vjeçarëve. Golat e Moratës (Real Madrid), udhëheqja e Isco (Malaga), zgjuarsia e Thiago (Barcelona) dhe shpejtësia e Tello (Barcelona) nuk i dhanë asnjë mundësi kundërshtarëve.

Top Channel