Capello refuzon Realin e Madridit

19/06/2013 18:30

Dukej shumë pranë zyrtarizimit, por kalimi i Ancelottit tek Reali mbetet pezull sërisht, pasi zëvendësuesi i përzgjedhur, Fabio Capello, refuzoi sot ofertën e Paris SG, për të lënë përfaqësuesen ruse për të kaluar në Paris.

Sipas “Sky Sport”, ishte djali i trajnerit italian, ai i cili gjatë ditës zhvilloi bisedime me presidentin Nasser Al-Khelaifi dhe me drejtorin sportiv, Leonardo, por në fund oferta e parizienëve nuk arriti të bindte 67-vjeçarin, i cili duket shumë i lidhur me projektin rus.

Ndonëse Parisi i ofroi Capellos një rritje page në 8 milionë euro (nga 7 që përfiton aktualisht), kampionët e Francës propozonin vetëm një vit kontratë, kohëzgjatje e papranueshme për italianin.

Me Arsene Wenger të piketuar për sezonin e ardhshëm, pasi të skadojë kontrata e tij me Arsenalin, tashmë Parisi është i vendosur të gjejë një zëvendësues të denjë për Ancelottin ose në rast të kundërt, të detyrojë trajnerin që të qëndrojë edhe një vit më shumë, çka do të përbënte një goditje të vërtetë për shpresat e Realit të Madridit, që do të duhet të bënte planet edhe një herë nga e para për sezonin e ardhshëm.

Aktualisht, ndonëse Reali po trajton disa futbollistë në merkato, planet kanë mbetur pjesërisht pezull për shkak të trajnerit të ri, që për momentin vazhdon të mbetet një enigmë më vete.

Top Channel