F1, Webber: Strategjitë vendosin garat

18/06/2013 15:15

Veterani Mark Webber ndjen mungesën e garave të dikurshme në Formulën 1 dhe deklaron se aktualisht shohim gara që varen më shumë nga gomat dhe strategjitë e skuderive.

Australiani i Red Bullit theksoi për ‘Autosport’: “Sot ka ndryshuar mënyra e pilotimit. Duhet të kesh kujdes gomat, duhet të kesh parasysh strategjinë dhe shumë gjëra të tjera. Nuk mund të marrësh timonin dhe të japësh maksimumin. Nuk funksionon më në këtë mënyrë.”

Webber shpjegoi më tej: “Sheh pilotë të shpejtë si Hamilton që në xhirot e fundit regjistrojnë kohët më të shpejta në pistë, atëherë kur nuk ke më çfarë të bësh. Por, nëse xhirot e shpejta i regjistron që në fillim të garës, gomat konsumohen dhe të shkatërrohet gara. Thjesht kanë ndryshuar garat.”

Gjithsesi, piloti i Red Bull nuk i heq meritat pilotëve që i fitojnë këto gara: “Për të fituar, duhet të lësh pas rivalët e tu dhe makinat e tjera. Nëse e arrin këtë, ndjen një krenari të jashtëzakonshme dhe kjo gjë nuk ka për të ndryshuar kurrë në Formulën 1.”

Top Channel