Turqit që na lanë të prapambetur

17/06/2013 00:00

Fatos Baxhaku – Ne e kemi pasur dhe e kemi ende zakon që t’i gjejmë
arsyet e mosarritjeve tona të të tjerët. Ishte kollaj, është rruga më e
thjeshtë e mundshme.

Dikur, që në kohë të komunizmit, një nga arsyet që u shpik për të justifikuar varfërinë në mendje, ndër sofra, ndër shtëpi, ndër rrugë, në veshje, ndër gëzime, ndër dolli, egërsinë tonë, mungesën tonë të idesë së marrëveshjes, reagimit tonë qytetar, te një faktor historik. Sipas kësaj teorie ne qenkemi një popull që na paskan rënë në qafë jetë e mot të tjerët, por ne si të paepur që jemi u kemi rezistuar rrebesheve të kohës dhe ja ku jemi tani: të fortë sypatrembur me shikimin përpara, njësoj si edhe në kohën e Enverit. Një nga fajtorët më të mëdhenj, sipas kësaj shkolle të historiografisë moraliste është vetë Perandoria Osmane, e cila në popull njihet me një emër të vetëm “turqit”, ani pse shkencëtarët e quajnë “Periudha Osmane”.

Diskutimi është shumë i gjatë, ai ka lidhje me formime psikologjike bejlerësh të konvertuar, sundimtarësh ëndërrimtarë, por egoistë deri në palcë, popullsish baritore të izoluara ndër shpate të thëllimta malesh, barinjsh të përulur me “lepe-peqe” para beut… Shumë gjëra duhet t’i thonë etnologët dhe historianët e rinj të zhveshur nga komplekset e marrinat e së kaluarës.

Por ngjarjet e sotme të Turqisë Kemaliste, ato që nisën në një park të thjeshtë në Stamboll duhet të na bëjnë më në fund të shikojmë nga vetja dhe jo nga të tjerët që na paskan lënë pas, sepse në shumë kuptime, turqit e sotëm, pasardhësit e osmanëve të dikurshëm, mes të cilëve ka edhe dhjetëra mijëra shqiptarë, kanë reaguar në mënyrën më moderne të mundshme: qytetare.

Ata na kanë mësuar shumë gjëra:

Më e para nga të gjitha është se interesi i partive jo gjithnjë, mbase në një pakicë të mundshme, është edhe interesi i vetë popullit. Ndërsa për ne mjafton një fishkëllimë politike që të gjunjëzohemi, të ngazëllehemi, madje edhe të biem theror, për njërën apo për tjetrën parti, rasti i ditëve të fundit në Stamboll, Ankara dhe më gjerë na mësoi se në radhë të parë, para se të jemi militantë të aksh apo filan partie duhet të jemi qytetarë dinjitozë, të bindur në vlerat e një jete jo prej skllavi qoftë edhe në demokraci, por të një njeriu të lirë. Kemi pasur rast ta bëjmë dhe nuk e kemi bërë. Dhe pra ata që “na kanë lënë në prapambetje” janë ku e ku më parë se ne.

E dyta, revoltat qytetare në Turqi na mësuan, për ata që kanë veshë të dëgjojnë, sy të shikojnë dhe zemër të kuptojnë, se demokracia në asnjë rast nuk mund të fshihet pas mirëqenies, rendit të sforcuar, apo dajakut. Edhe në diktaturat më gjakatare ka pasur suksese të jashtëzakonshme ekonomike, autostrada, tharje kënetash, mafie të tulatur, porse nuk ka pasur assesi njerëz të lirë.

Kjo na bën të mendojmë edhe ndër këto anët tona (a nuk jemi edhe ne bashkudhëtarë për 500 vjet me protestuesit e sotëm në Turqi?). Ndër kryet e liderëve të sotëm politikë, vazhdon të mbetet ideja e manipulimit të turmës. Nuk duhet të jemi shumë pesimistë, në krahasim me diktaturën shumë gjëra kanë ndryshuar. Fjala e lirë, të paktën në letër ka ndryshuar. Por sa ndikon kjo në lirinë e gjithsecilit. Fjala nuk ka kuptim nëse bie në vesh të shurdhër. Fjala ka kuptim kur përmirëson jetën dhe lirinë e gjithsecilit.

Njësoj si në Turqi, por edhe nga pak kudo nëpër Ballkan, ne kemi mbetur në një demokraci të mësuar përmendësh – meqë e kanë të gjithë ta provojmë edhe ne! – dhe jo në një sistem që shndërrohet në një mënyrë jetese e të menduari, ku secili ka të drejtat dhe detyrimet e tij. Në asnjë vend të civilizuar të botës vota hidhet për të ruajtur vendin e punës, ani se në asht të shpirtit mendon ndryshe. Dhe pastaj, jo vetëm për faj të politikanëve, pretendojmë se kemi bërë apo do të bëjmë zgjedhje të lira dhe demokratike. Si ka mundësi të votosh lirshëm kur ke lepurin në bark? Kur nga një copë letre varet buka e gojës e fëmijëve të tu? Atëherë ne paskemi rënë nga brohoritjet për PPSH apo Bashkimet Profesionale në një grackë edhe më të rrezikshme, në atë të lirisë si grackë.

Më e bukura e kësaj historie është se që të dy të mëdhenjtë janë dakord në një pikë: le tua torollisim mendjen votuesve tanë me histori taksash. E bukur fort kjo lojë ku shumica e popullsisë nuk paguan taksa. Në vend që të nisin të parët premtimin për mbledhjen e taksave dhe pastaj të thonë si të duan se si do t’ua vënë emrin, ata vazhdojnë betejën në një fushë që edhe vetë nuk e njohin aspak. Kjo ndodh sepse ne, shqiptarët që na paskan lënë pas turqit, që sot protestojnë në mënyrën më civile të mundshme, duke u nisur nga një park historik e kemi një “arsye historike” përse jemi kaq pak qytetarë. Në këtë rast termi “qytetarë” nuk është përdorur në kuptimin e vendbanimit, porse në kuptimin e marrjes së përgjegjësive të gjithsecilit mbi supe. Më e para nga të gjitha është të bërit e profesionit që të ka rënë për hise, pastaj është pjesëmarrja në një komunitet të caktuar me tendencën për ta rregulluar atë. Nuk mund të presim që liderët tanë admirimisht të admiruar (njësoj si kënga “U knaqme tuj u knaq”) të na zgjidhë problemin e komshiut që vazhdon të vërvitë plehrat nga ballkoni përballë. Nëse secili prej nesh nuk është në radhë të parë, ose tundohet të jetë, një qytetar dinjitoz para se të jetë admirues i Salës apo i Edit, atëherë kjo histori do të vazhdojë pa fund dhe ne sërish do të na duhet të gjejmë një fuqi të huaj që na paska lënë pas në zhvillimin tonë. Vetëm se ajo propaganda e vjetër që Perandoria Osmane na pengoi në 500 vjet tashmë është fare e pabesueshme. Na duhet të shpikim një teori tjetër… Por kjo do të jetë e vështirë, shumë e vështirë dhe krejt e marrë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel