Qendra e Stambollit është kthyer prej dy javësh në zemrën e lëvizjes kundër planeve qeveritare për rizhvillimin e parkut Gezi të Stambollit, si dhe asaj që protestuesit e konsiderojnë përpjekje të partisë islamike në pushtet, për të kufizuar liritë personale të qytetarëve të një shteti laik.
Demonstruesit janë halë në sy për kryeministrin Erdogan. Me fjalë të ashpra, ai është përpjekur t’i bëjë të heshtin dhe të nxisë përkrahësit e tij kundër tyre.
Në këtë pikë, ka njerëz që flasin për përçarje të shoqërisë turke. Në park demonstrojnë studentë, nxënës, intelektualë – e thënë ndryshe, shtresa e shoqërisë me orientim perëndimor, e cila e sheh veten si motor të lëvizjes.
Që prej aksioneve të dhunshme të policisë, kritikat e tyre janë drejtuar kryesisht kundër stilit autoritar të qeverisjes së Erdogan-it. Fjalimet dhe deklaratat e tij publike ishin arsyeja që në rrjetet sociale, por edhe në shumë mure ndërtesash në qendër të Stambollit, u shkruajt fjala “luftë civile”.
Megjithë thirrjet e shefit të ekzekutivit për t’i dhënë fund pushtimit të parkut, demonstruesit njoftuan se do ta vazhdojnë aksionin e tyre; përkrahësit e Erdogan-it organizuan nga ana tjetër një tubim masiv në Ankara.
Te shumë njerëz po forcohet ndjenja e një përçarjeje të popullit mes konservatorizmit islamik dhe orientimit perëndimor, e cila tingëllon për ta si strategji e kryeministrit.
Ekspertë vendas mendojnë se ky mund të ketë qenë pikësynimi i tij që në fillim, e thonë se kjo është përpjekja e qeverisë për ta paraqitur lëvizjen e protestave si një luftë kulturash, një përplasje mes muslimanëve të devotshëm dhe të këqinjve.
Sipas tyre, Erdogan po instrumentalizon fenë, i akuzon demonstruesit se nuk respektojnë simbolet fetare, ndërsa qeveria përpiqet të përgjithësojë disa episode dhe t’i paraqesë si tipike për të gjithë lëvizjen e masave.
Top Channel