Në Burrel kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se komisionerët e kësaj force politike në të gjithë piramidën zgjedhore do të jenë garant jo vetëm për mbrojtjen e votës së kësaj force politike, por garant i respektimit të vullnetit të zgjedhësve.

“Do të numërojmë votën ashtu siç zemra e qytetarëve shqiptarë e do dhe unë jam i bindur se zemra e shqiptarëve rreh për ndryshimin, rreh për rrotacionin, për të ecur më shpejt përpara”, deklaroi Meta.

Meta theksoi se programi qeverisës i së majtës do të shpëtoje vendin nga ajo që ai e cilësoi si “pikiata ekonomike”. “Kemi programin dhe angazhimin të rimëkëmbim ekonominë që të mos bjerë në drama sociale dhe pikata ekonomike”, nënvizoi Meta.

Nxitja e prodhimit vendas dhe infrastruktura do jenë në qendër të programit nxitës së ekonomisë vendase, tha kreu i LSI-së përpara matjanëve.

Meta: Punësimi nis nga bujqësia

Më herët gjatë ditë, në një vizite në fermat bujqësore në Lushnjë, Ilir Meta siguroi
fermerët se plani i punësimit i LSI-së do të nisë nga bujqësia.

“Angazhimi ynë kryesor është rritja e qëndrueshme ekonomike e vendit, e cila fillon nga nxitja e rritjes së prodhimit bujqësor dhe me këtë fushë merr një prioritet të veçantë në programin tonë elektoral, mbështetja e të gjithë ekonomive bujqësore”, tha kreu i LSI-së.

Meta vuri theksin tek subvencionimi i inputeve bujqësore, për të rritur rendimentin por edhe eksportet.

“Mbështetja e këtyre aktiviteteve, sidoms e serave është mjaft e rëndësishme, duke rikthyer subvencionimin e një pjese të çmimit për karburantet që përdoren si lëndë djegëse dhe njëkohësisht, duke subvencionuar një pjese të çmimit për plastmasin”, tha Meta.

Gjatë një tjetër bashkëbisedimi me qytetarë në Divjakë, Meta tha se mbështetja për bujqësinë deri më tani ka qenë shumë minimale.

Top Channel