Kupa e Konfederatave

15/06/2013 20:35

Sot në mbrëmje do të startojë Kupa e Konfederatave që në këtë sezon do të zhvillohet në Brazil. Ky miniturne botëror përbëhet nga 8 skuadra, fitueset e 6 federatave të kontinenteve të tjera, skuadra që mban Kupën e Botës dhe skuadra e vendit organizator.

Në këtë sezon është bërë një përjashtim, pasi Italia është pjesëmarrëse e këtij aktiviteti si përfaqësuesja e kontinentit Europian, duke qenë se Spanja është e pranishme si mbajtësja e trofeut. Në këtë sezon skuadrat pjesëmarrëse janë Spanja, Italia, Brazili, Meksika, Uruguaji, Japonia, Nigeria dhe Tahiti.

Ndeshja që do të celë edhe ceremoninë e Kupës së Konfederatave do të jetë ajo mes Brazilit dhe Japonisë, e vlefshme për Grupin A. Në këtë grup, veç këtyre dy skuadrave janë edhe Italia me Meksikën. Grupi B përbëhet nga Nigeria, Spanja, Tahiti dhe Uruguaji.

Brazili i Skolarit në këtë ndeshje të parë vjen pas fitores 3-0 përballë Francës në ndeshjen miqësore, ndërkohë që e gjithë vëmendja do të jetë tek ylli i ri i Barcelonës, Nejmar.

Edhe pse në këto momente është në qendër të vëmendjes, trajneri i selecaos thekson se Nejmar duhet të përmirësohet dhe të mësojë të sillet si pjesë e skuadrës.

Sa i përket kundërshtarëve të Japonisë, ai i vlerëson duke i vënë në dukje elementët shumë të mirë që kanë në përbërje dhe që mund ta vënë në vështirësi.

Ndeshja e sotme mes Brazilit dhe Japonisë do të trasmetohet drejtpërdrejtë në paketën SuperSport të platformës DigitAlb. Ndërkohë, ditën e diel do të luhet ndeshja Itali-Meksikë në stadiumin “Markana”.

Top Channel