Rama, nga Shkodra në Laç: Bashkim për rilindje

14/06/2013 00:00

Nga këndi i fjalës me banorët e Gurit të Zi në Shkodër, kreu Partisë
Socialiste Edi Rama deklaroi se ka perënduar epoka kur shkodranët
votonin për Partinë Demokratike në baza militantizmi.

Sot, theksoi ai, militantët e PD-së janë të zhgënjyer sepse nuk mjafton të jesh militant i PD-së, por duhet të kesh lekë ose edhe lidhje gjaku.

“Siç u dalin atyre sondazhet ne në Shkodër më 23 Qershor do të fitojmë miqtë e mi. Kjo është e qartë pasi ka vetëdije në rritje të shkodranëve që boll më, boll më i dhanë besim pa kushte këtyre njerëzve, që e shpërdoruan besimin që abuzuan me Shkodrën, që u tallën me disidencën dhe përndjekjen politike të Shkodrës”, tha Rama.

Banorët e kësaj zone ishin të interesuar të dinin për masat që do të marrë qeveria socialiste e pas 23 qershorit, për të ndalur përmbytjet dhe mbështetjen që do përfitojnë.

“Do të bëjmë projektin e detajuar dhe do të fillojmë të përballemi me këtë gjë se nuk mund ta quajmë natyrale pasi kjo nuk është natyrale. Sa here të bjerë shi të përmbyten njerëzit.Kjo s’ka kuptim. Dhe ne nuk do gjejmë paqe deri sa të garantojmë ujin e pijshëm dhe vaditjen për çdo metër katror tokë buke në Shqipëri. Do t’ju vendosemi në krah.Do të ulim çmimin e naftës. Patjetër që do ta ulim në 35%.Do ulim koston, çmimin e të gjithë këtyre duke ulur taksat.Do ta heqim TVSH-në”, tha Rama.

Rama premtoi dhënien fund të orvatjeve të atyre që e kanë tokën ende të pacertifikuar.
Takimet elektorale të kreut të PS-së vijuan në qytetin e Pukës.

“Populli shqiptar duhet të ngrihet i gjithi dhe të kuptojë se pjesa e
mirë e tij, që është si kudo te cdo popull, pjesa dërrmuese s’duhet të
rrijë duarkryq, por duhet që me votë të fitojë betejën kundër rrënimit”,
tha Rama.

“Jo zhdukjes së shtresës së mesme”

Ndërsa në Laç, Edi Rama iu ka shpjeguar banorëve rëndësinë e votimit në
datën 23 për Partinë Socialiste.
“Më 23 qershor të bashkohemi për rilindjen. Kush do ekonominë e rrënuar
le të votojë gjyshin me antiplumb. Kush do ndryshimin të votojë numrin
29 dhe të shpëtojë nga rrënimi. Kush do një shtet që mbështet industrinë
fasone, prodhimin vendas dhe punësimin ka vetëm një zgjedhje, PS dhe
numrin 29”, ka deklaruar Rama.

“Me votën për PS dhe besimin tek skuadra e rilindjes, ju do merrni në
krah një qeveri që hallet tuaja do t’i ketë halle më vete”, ka premtuar
ai.

Ashtu si edhe në çdo takim tjetër, kryetari i opozitës apeloi për
pjesëmarrje masive në zgjedhje, për t’i dhënë pa lëkundje, siç tha ai,
besimin projektit të rilindjes për të gjithë shqiptarët.

“Më 23 qershor do të zgjidhet: do vazhdojë rrënimi, apo do fillojë
rilindja. Do vazhdohet me taksën e sheshtë apo do nisë taksimi i
ndershëm. A do ta kemi shëndetësinë mall me lekë në dorë, apo një
shërbim për të gjithë”, ka thënë Rama.

Top Channel