Vjelja e taksës mbi pronën

13/06/2013 16:40

Ndonëse sistemi fiskal është shndërruar, në një nga pikat më të nxehta të fushatës, debati për të ka qenë kryesisht i kufizuar në taksimin e të ardhurave dhe konsumit.

Ekspertët thonë se ka dhe një tjetër burim të ardhurash tatimore, që në Shqipëri është i nënvlerësuar, taksa mbi pasurinë.

”Kur flasim për taksë pasurie duhet të kemi të qartë që njerëzit do të paguajnë mbi pronat e tyre dhe sot për sot taksat shfrytëzohet vetëm 50% e potencialit të kësaj takse, edhe pse norma e pagesës është shumë e ulët”, deklaroi eksperti Dritan Shutina.

Shqipëria mbledh mesatarisht 0.15 për qind të prodhimit kombëtar nga taksat mbi pronën. Në Bashkimin Europian mesatarja është 1 për qind.

”Po sikur nga 0.15% të shkojë në 0.5, përsëri do të ishte hapësirë e madhe për pushtetin lokal për të gjeneruar të ardhura në funksionin e përmirësimit të infrastrukturës”, shtoi Shutina.

Të dhënat zyrtare tregojnë se qytetarët shqiptarë financojnë nga taksat që paguajnë mbi pronën vetëm 25 për qind të investimeve lokale në infrastrukturë. Gjysma e pronave madje nuk taksohen fare sepse janë informale.

”Kryesorja është zgjerimi i bazës, taksimi në vlerë në bazë të pronës. Nëse kjo është e vështirë mund të përdoren referenca, por vetëm me këtë taksë mund të sjellim në vlerën e duhur marrëdhënien e drejtëpërdrejtë pronës dhe infrastruktuës. Kështu, paguhet në mënyrë proporcionale midis pronës dhe shërbimit infrastrukturor që ajo merr”, theksoi eksperti.

Ekonomistët thonë se taksat mbi pronën përvecse të ndershme, nuk kanë efekte negative në ekonomi. Por ka dhe një tjetër argument në favor të tyre, që lidhet me frenimin e ndërtimeve kaotike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA