Meta: Do të zgjidhim çështjen e legalizimeve

13/06/2013 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi
paraditen e të enjtes një takim me banorët e njësisë bashkiake nr. 8 në
Tiranë, të cilëve u premtoi se me ardhjen në pushtet, LSI do t’i japë
zgjidhje brenda pak muajsh çështjes së legalizimeve.

“Është për të ardhur keq që Partia Demokratike që në vitin 2005 përpara zgjedhjeve premtoi legalizimet dhe pothuajse nuk ka bërë asgjë përveçse e ka vështirësuar e burokratizuar këtë proces, ua ka sjellë shpirtin njerëzve në majë të hundës dhe i ka lënë ata realisht ende peng të tekave dhe kapriçove të drejtuesve të caktuar të ALUIZNI-t, por në fund të fundit ky është rezultat i mungesës së vullnetit politik për të zgjidhur këtë çështje një herë e mirë. Ndaj unë dua t’iu siguroj për vendosmërinë e LSI-së për të zgjidhur menjëherë brenda pak muajve në qeverisjen e ardhshme çështjen e legalizimeve dhe për t’u dhënë të gjithë tapitë dhe certifikatat e pronësisë në duar”, tha Meta.

Meta e vuri theksin edhe një herë tek punësimi si në çështje prioritare për të cilën kanë nevojë më së pari shqiptarët, ndërsa theksoi se ekonomia ka nevojë që të marrë hov zhvillimi përmes rritjes së eksporteve dhe zbutjes sa më të shpejtë të deficitit tregtar si e vetmja mënyrë për të luftuar varfërinë.

Top Channel