“Kujtoni 44-n dhe votoni 29-n”

13/06/2013 23:40

Kjo pjesëmarrje e jashtëzakonshme, siç Edi Rama e cilësoi, ka një arsye: Lushnja kërkon dhe mbështet masivisht Rilindjen. Por, po ashtu, shtoi ai, PS e ka të qartë përse është këtu.

“Se jemi të bindur që, së bashku, ne në katër vjet do të bëjmë të mundura gjëra, që në 20 vjet këtij populli i janë bërë padrejtesisht të pamundura”, tha Rama.

Në bindjen e kreut të opozitës, numri 29, që mban Partia Socialiste këtë herë në fletën e votimit, është rastësia më domethënëse e misionit të çlirimit, që ai e përcolli përmes këtij mesazhi.

“Kam një amanet për ju, nga një miku im i vjetër, veteran i luftës, i cili më mori në telefon e më tha. Kur të shkosh në Lushnjë, kur të shkosh në çdo shesh, thuaju: kujtoni 44, votoni 29!”, theksoi Rama.

Dhjetë ditë nga dita e votimit, kryetari i opozitës përforcoi apelin për pjesëmarrje masive në votim.

“Dhjetë ditë nga dita e votimit, ju lutem, mos shkoni vetëm në kutinë e votimit, por merrni edhe dikë tjetër, ndonjë pjesëtar të familjes, një mik, një komshi apo një të njohur, që nuk ka votuar herën e kaluar, por lëkundet për të votuar edhe këtë vit. Nuk ka lëkundje mes rrënimit dhe Rilindjes, nuk ka lëkundje mes taksës së sheshtë dhe taksës së ndershme. Nuk ka lëkundje mes uljes së taksës dhe marrrjes së frymës për 95% të shqiptarëve”, shtoi Rama.

Kandidatët kryesues të listës së deputetëve për këtë qark, gjithashtu kanë bërë apel për të votuar PS.

“Përshëndetje o qytet i dy kongreseve. Unë bëj vetëm një apel, në datën 23 votoni numrin 29”, tha Gramoz Ruçi.

“Ne bashkë kemi një ëndërr, duam ta rilindim Lushnjen, duam ta rilindim Shqipërinë. Votoni të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj”, u shpreh Eglantina Gjermeni.

“Një thirrje kam për të gjithë socialistët. Nuk kemi më kohë për t’u ndalur. Duhet që të gjithë t’i japim fund kryeministrit më të vjetër në Europë, për ta larguar njëherë e përgjithmonë nga pushteti. Bëjeni edhe për të gjithë demokratët e ndershëm”, deklaroi Erion Braçe.

Top Channel