“Fiks Fare”: Komunitetit rom, ushqime në këmbim të votës

13/06/2013 00:00

Stafi i kandidatëve të Partisë Demokratike në njësinë bashkiake numër 7
kanë shpërndarë pako me ushqime për banorët e zonës, kryesisht për
anëtarët e komunitetit rom.

Për të tërhequr pakot, kanë kërkuar konfirmimin e tyre se janë votues të zonës dhe paraqitjen e kartës së identitetit, dokumentit që ata do të paraqesin në njësinë e votimit më datën 23 qershor. Nga investigimi që kanë bërë gazetarët e emisionit “Fiks Fare” rezulton se emrat në listë janë sugjeruar nga njerëzit e përfshirë në shtabe elektorale, të cilët njohin terrenin dhe zonat e njësisë bashkiake numër 7 të kryeqytetit.

Këta njerëz të angazhuar fuqishëm në procesin zgjedhor, duke konfirmuar lista, njerëz, duke mbajtur shënime dhe duke regjistruar kryesisht votuesit djathtas, por edhe të lëkundurit, janë edhe përgjegjësit dhe “administratorët” e listave të pakove, ushqimeve, sigurisht në këmbim të votës. Komuniteti rom konsiderohet nga statistikat, studimet raportet kombëtare e ndërkombëtare si kontingjenti më i varfër, me numër të lartë papunësie, me probleme të mëdha ekonomike dhe ndihmat ushqimore apo çfarëdolloj pakete mund t’u jepet është një ndihmë tepër e madhe, sikur edhe për të kaluar 15-ditëshin, me bukë, miell, sheqer apo oriz. Investigimi i gazetarëve të “Fiks Fare” ka arritur të filmojë të gjithë itinerarin e procedurës, kur përfaqësuesit e komunitetit rom mbërrijnë në vendin e shpërndarjes së ndihmave, kur banorët paraqiten, japin për verifikim kartën e identitetit, dokumenti që paraqitet në njësinë e votimit dhe më pas marrin pakon me ushqime për ta çuar pranë familjes.

Siç tregohet edhe në foto, personat që shpërndajnë pakot e ushqimeve janë të veshur me bluzat e prodhuara për fushatën elektorale me logon e Partisë Demokratike nën sloganin “ne jemi ndryshimi përpara”. Në foto dallohet qartë, banori i cili dorëzon kartën e identitetit dhe pasi paraqet atë, stafi elektoral i Partisë Demokratike, shtabet e ngritura në njësinë bashkiake numër 7, dorëzojnë pakon me ushqime.

Dy javë para votimeve, “Fiks Fare” sjell fakte nga mënyra sesi kandidatët e Partisë Demokratike kërkojnë votën e banorëve të Tiranës në këmbim të një pakoje ushqimesh.

“Fiks Fare” solli me pamje momente nga shpërndarja e ushqimeve prej stafit të kandidatit të PD-së në Tiranë, z. Gazmend Dibra.

Qeset me ushqime janë ndarë gjatë fundjavës së kaluar në një dyqan që tregton bojëra në rrugën “Myslym Shyri”.

Gazetarët e këtij emisioni kanë mundur të filmojnë edhe kandidatin për deputet Dibrën, brenda ambienteve të dyqanit ku shiteshin bojërat, si dhe ndihmat e paketuara, gati për t’ua dhënë banorëve të rrugës “Myslym Shyri”, të cilët i kishin garantuar votën e Dibrës. Edhe pse ndihmat ndaheshin në një mënyrë tepër të sigurt, ku ishin të aktivizuar të paktën pesë persona, gazetarët kanë mundur të kontaktojnë me disa banorë që kishin marrë ndihmën.

Top Channel