F1, Red Bull: S’kemi më frikë nga shpejtësia

13/06/2013 00:00

Red Bull deklaron se nuk është më e trembur për të garuar në pistat ku
kërkohet shpejtësi e lartë, pas performancës së Sebastian Vettel në
Kanada.

Duket se skuderia me bazë në Milton Kejnes ka gjetur rrugën e duhur për makinën e saj RB9, e cila ka qenë e kufizuar në cirkuitet me shpejtësi të lartë sepse nuk mund të menaxhojë konsumimin e gomave, ashtu sikurse makina të tjera.

Por tani ekipi beson se ka bërë përmirësime pas garimit me shpejtësi të mesme në Montreal. Dhe kjo do të thotë se besimi i tij është i lartë për garën e ardhshme në Silverston, ku këndet me shpejtësi të lartë do të jenë një test i mirë për menaxhimin e gomave.

Bosi i ekipit të Red Bull, Christian Horner, i vetëdijshëm për mënyrën se si pilotët e tij garuan në Barcelonë, tha: “Mendoj se është e qartë që ne kemi bërë progres në këtë drejtim dhe shpresojmë që ky progres të vazhdojë edhe në Silverston”.

“Edhe Malajzia ka kënde shumë të shpejta dhe ne jemi të fortë atje, kështu që mendoj se kemi kuptuar disa prej problemeve që kemi pasur në Barcelonë dhe shpresojmë se do t’i zgjidhim në garat e ardhshme”, shtoi Horner.

Top Channel