Ekzekutohet i liruari nga burgu

13/06/2013 00:00

Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri mesditën e së enjtes në qendër të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që u plagos nga të shtënat një kalimtare e rastit.

Ngjarja ndodhi  përballë Zyrave Qendrore të Gjendjes Civile ku shtetasi Hyqmet Pisha u qëllua me 7 plumba automatiku teksa ndodhej në një lokal, ku mbeti i vdekur në vend.

Viktima sapo ishte liruar nga burgu ku kishte vuajtur dënimin për vrasje dhe dyshohet se atentati të ketë lidhje pikërisht me këtë fakt. Sic bën me dije policia, autori ka qëlluar nga një mjet tip Benz me targa angleze.

Ndërkohë që shtetësja e plagosur është Lindita Çalladej e cila ishte kalimtare e rastit në momentin kur një plumb i ka përshkuar krahun. Ajo u dërgua menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.

Policia rrethoi vendin e ngjarjes dhe ngriti postblloqe në të gjitha kryqëzimet dhe hyrje-daljet e qytetit, ndërkohë që bën të ditur se ka gjetur të braktisur mjetin e autorit të krimit.

Policia sqaron se ka identifikuar autorin e vrasjes, por nuk bën të ditur emrin e tij për arsye hetimi. Gjithashtu, Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan sqaron se vrasja ka motive hakmarrjeje lidhur me krimin e kryer nga Hyqmet Pisha në vitin 1997 për të cilin ishte dënuar me 18 vjet heqje lirie.

Top Channel