Mascherano godet punonjësin e fushës

12/06/2013 10:00

Ndeshja e kualifikuesve të botërorit “Brazil 2014” Ekuador-Argjentinë pati një fund shumë të shëmtuar. Arbitri paraguajan Enrique Caceres përjashtoi me karton të kuq argjentinasin Javier Mascherano pasi lojtari i Barcelonës goditi dy herë me shkelm drejtuesin e automjetit-barrelë që po e transportonte jashtë fushës.

Episodi ndodhi në minutën e 83-të, kur Mascherano u dëmtua në mesfushë. Në kohën që po dilte jashtë, Mascherano goditi dy herë me shkelm drejtuesin e mjetit dhe më pas nisi një sherr i madh që detyroi policinë ekuatoriane të ndërhynte për të ndarë futbollistët.

Vetë Mascherano shpjegoi episodin: “I kërkova të ecte më ngadalë, por nuk më dëgjoi dhe prandaj e godita. Po bija nga barrela dhe i thashë së bashku me mjekun të ulte shpejtësinë. Më vjen shumë turp dhe nuk kam asnjë justifikim për gjestin tim.”

“Nuk është bukur të marrësh karton të kuq dhe të jesh shkaku i një sherri. Gabova rëndë”, shtoi mesfushori i Barcelonës.

Argjentina nuk mori më shumë se barazimi 1-1 në transfertë. Golin për bardhekaltërit e shënoi Aguero me 11-metërsh.

Top Channel