Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, gjatë një takimi me qytetarët e Tiranës ka theksuar se partia e tij përfaqëson demokracinë e vërtetë.

“Pushteti që do dalë nga zgjedhjet duhet të japë shansin që të provojë veten. Pushteti aktual nuk mund të vazhdojë. Sot ka anëtarë të mazhorancës që janë ish-deputetë të PS”, ka deklaruar Topi.

Mediu: Taksa e Ramës shkatërron ekonominë

Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu ka prezantuar kandidatin për deputet në qytetin e Gjirokastrës. Në fjalën e tij ai ka sulmuar kreun e socialistëve Rama, duke vlerësuar se taksa progresiste e Ramës do të thotë shkatërrim i ekonomisë në vend.

“Taksa e Edi Ramës për t’i ndarë shqiptarët në përqindje është tendencë e vjetër për t’i futur ata në konflikt”, ka thënë Mediu.

Mediu është ndalur në një takim edhe me banorë të Lazaratit, ku theksoi se PR në koalicionin e djathtë vjen për të kontribuar dhe për të marrë kontribute.

Idrizi-emigrantëve: Kthehuni të votoni

Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi me forumin e gruas në Shkodër i ka bërë thirrje emigranteve shqiptarë të votojnë për këtë parti.

“Vëllezërit tanë emigrantë, ejani në Shqipëri për të votuar për të ardhmen e shqiptarëve, pasi kështu i bëni nder vetes dhe vendit”, është shprehur Idrizi.

PS në Elbasan: Fund monopolit të duhanit

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Musa Ulqini, gjatë një takimi me banorët e Dumresë në Elbasan kanë premtuar se do të ndalin monopolet e duhanit.

“Ne do të jemi kundër monopoleve. Ne do t’i zhbëjmë ato duke dhënë mundësi funksionimi”, ka deklaruar Blushi.

Shehi: Vota për PD, vota për ndryshim

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, gjatë prezantimit të kandidates së partisë së tij për qarkun e Fierit, Stela Fili, ka deklaruar se vota për të djathtën është vota për një ndryshim cilësor për Shqipërinë.

“Kemi një program për investime publike që përbën kapërcimin cilësor të jetës së shqiptarëve dhe të imazhit të Shqipërisë”, ka nënvizuar Shehi.

Doshi: Me Berishën nuk ecet përpara

Kandidati i Partisë Socialiste, Tom Doshi, gjatë një takimi me banorët e disa zonave në Shkodër, u ka bërë thirrje atyre që të votojnë për PS.

“Për 400 minuta nuk ia vlen të vish në Shkodër, nuk ia vlen të bësh rrugën apo të ndërtosh qendrën shëndetësore. Kjo është qeveria e Berishës”, ka thënë Doshi.

LSI: Varfëria, pasojë e keqeverisjes

Kandiati i LSI në qarkun e Durrësit, Lefter Koka është takuar me banorët e lagjes Spitallë në Durrës, ku ka folur për keqqeverisjen aktuale dhe pasojat e saj.

“Ka shumë elementë negativë të qeverisë aktuale. Varfëria është në nivelet më të larta, papunësia po ashtu”, ka thënë Koka.

Koka u ka kërkuar banorëve të votojnë LSI-në për një qeverisje më të mirë dhe që problemet e tyre të gjejnë zgjidhje.

Milo: Më 23 qershor vota majtas

Në turin e tij elektoral në Fushë Krujë, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka deklaruar se në 23 qershor, me votën majtas Shqipëria do të marrë rrugën drejt integrimit europian.

“Do të ndajmë përfundimisht më 23 qershor nëse vendi do marrë rrugën e progresit, demokracisë dhe integrimit, apo do mbetet një vrimë e zezë në hartën politike të Ballkanit”, ka nënvizuar Milo.

Roshi: PBDK, shans për të pakënaqurit

Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi ka kërkuar votat për subjektin e tij politik në Vlorë, duke e quajtur PBDK-në një shans për të pakënaqurit në radhët e ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarët.

“Votimi te numri 51 është votë për ish-të përndjekurit, për ish-pronarët dhe biznesin, të pakënaqur nga qeverisjet e deritanishme”, ka deklaruar Roshi.

Top Channel