F1, Pirelli: Nuk kuptojmë kritikat e Red Bull-it

12/06/2013 13:10

Gomat janë kthyer në protagonistët kryesorë të kampionatit botëror të Formulës 1. Konsumimi i lartë i tyre ka lënë të pakënaqur pothuajse të gjitha skuderitë përveç Ferrarit dhe Lotusit.

Zërat kundërshtues ndaj gomave Pirelli udhëhiqen nga Sebastian Vettel dhe Red Bull. Pikërisht kjo gjë është ajo që habit Paul Hembery-n, drejtorin e Pirelli-t.

“Ata janë paraqitur shumë mirë këtë vit dhe për këtë arsye nuk i kuptoj pakënaqësitë e tyre. Do i kuptoja skuderitë e tjera, por jo një skuderi dhe një pilot që po kryeson kampionatin. Edhe pas garës që fituan në Kanada dëgjova ankesa dhe këto gjëra nuk ndihmojnë aspak”, tha Hembery për ‘Autosport’.

Vettel dominon botërorin me 132 pikë (36 më shumë se Alonso), ndërsa Red Bull kryeson renditjen e konstruktorëve me 201 pikë (56 më shumë se Ferrari).

Por, piloti gjerman këmbëngul se ai nuk ankohet për rendimentin e gomave apo për numrin e ndalesave në bokse. Vettel thekson se shqetësimi i tij është siguria që ofrojnë këto goma për pilotët.

Top Channel