“T’i themi stop rrënimit”

11/06/2013 23:20

Atë që kryetari i Partisë Socialiste ka premtuar të sjellë me qeverisjen e tij të pas 23 qershorit, Rilindjen, e ka parë të garantuar në mitingun elektoral të qytetit të 1001 dritareve.

“Ato dritare do të hapen në 23 qershor dhe do të hyjë era e rilindjes në çdo shtëpi, do të vijë me restaurimin e gjithë Beratit të vjetër”, tha Rama.

Duke prezantuar skuadrën e Rilindjes për këtë qark, Edi Rama u ndal te një emër, Artan Lame, i njohur si mbrojtës i trashëgimisë kulturore.

“Ky është njeriu, që do të ma marrë shpirtin, deri sa të jetë shtruar rruga më e fundit me kalldrëm e qytetit të 1001 dritareve”, tha Rama për Lamen.

Edi Rama bëri një paralelizim mes asaj, që ofron Partia Socialiste, dhe alternativës kundërshtare, mes Rilindjes dhe rrënimit, siç tha. Rimëkëmbja e ekonomisë, fshatit, shëndetësia falas, kthimi i sigurisë në vend do të vijnë nga vota e shqiptarëve e 23 qershorit, deklaroi lideri i së majtës.

“Çdo shqiptar do të çlirojë vetveten, familjen, lagjen, qytetin, fshatin dhe vendin nga hija e rrënimit”, shtoi Rama.

Kryetari i opozitës nuk u ndal gjatë në komentet ndaj alternativës kundërshtare, në respekt – siç tha – të pjesëmarrjes së jashtëzakonshme të njerëzve në sheshin qendror të Beratit.

“Me këtë fuqi që është mbledhur në këtë shesh, e ardhmja është vetëm 12 ditë larg. Ju nuk do ta keni më pushtetin në qafë dhe ekonominë tuaj familjare përtokë, por qeverinë përkrah dhe ekonominë e familjes tuaj në këmbë”, u shpreh Rama.

Edi Rama u premtoi qytetarëve të këtij qarku dhe të gjithë shqiptarëve, të jetë në krah të tyre, në betejën e tyre më të madhe.

“Beteja juaj për të tundur varfërinë do të jetë beteja ime ditë-natë, deri sa të bëjmë të mundura gjëra që, padrejtesisht, janë bërë të pamundura në këto 20 vjet”, përfundoi Rama.

Top Channel