Rama: Votoni masivisht në zgjedhje

11/06/2013 00:00

“Më kanë vjedhur dy herë dyqanet dhe hajduti shëtit i lirë”. Kjo dëshmi e një prej banorëve në Unazën e Re në Tiranë, ku kryetari i opozitës zhvilloi takimin e radhës elektoral, shërbeu për të rikthyer artikulimin e angazhimit të Edi Ramës për vendosjen e rendit brenda 300 ditëve të para të qeverisjes së tij, pas përsëritjes së akuzave se sipas tij, kupola e lartë e policisë sot është e lidhur me krimin dhe korrupsionin.

“Mezi po pres ditën që ai që prek një shqiptar apo pronën e një shqiptari t’i bëjë llogaritë mirë me ligjin dhe shtetin”, ka premtuar Rama.

Në përgjigje të interesimit të qytetarëve të kësaj zone, në shumicë me ndërtime të pahipotekuara, kreu i opozitës argumentoi përse qeverisja e majtë është e zotuar t’i japë fund çështjes së legalizimeve në mandatin e parë qeverisës. “Do të thotë çlirim i kapitalit për ekonominë”, ka nënvizuar ai.

Një sërë qytetarëve që u deklaruan të zhgënjyer si ish-votues të Partisë Demokratike, Edi Rama përsëriti apelin që historia e votimit sipas traditës familjare apo me fantazmë kundrejt njërës apo tjetrës parti të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

“Programi ynë nuk ndan, por bashkon 95% të shqiptarëve. Por, larg qoftë që ata të jenë të tërë socialistë, sepse shyqyr që ia arritëm ditës të kemi demokraci”, u shpreh Rama.

Edhe këtë takim Edi Rama e mbylli me thirrjen për shqiptarët për votim masiv në zgjedhje, si garancia më e madhe për ruajtjen e votës. “Pjesëmarrje masive për t’u përballur me çdo tentativë manipulimi”, ka apeluar Rama. 

Rama: Berisha ndan Shqipërinë

Më herët Rama ishte në Kodër Kamëz, ku ftoi banorët që të
distancohen nga “thika e ndasisë” siç i quajti ai, të gjitha akuzat e
përdorura nga Kryeministri Berisha me qëllim ndarjen e shqiptarëve në
veriorë dhe jugorë.

“Saliu nuk e përdor votën tuaj për t’ju ndihmuar, por për të futur ‘thikën e ndasisë’ dhe të urrejtjes mes njëri-tjetrit, duke shpifur pa pushim për Partinë Socialiste, duke shpifur pa pushim edhe për mua personalisht. Të gjitha janë gënjeshtra, të gjitha janë shpifje. Shoqeritë që e konsiderojnë qeverisjen një shërbim, e lidhin votën e tyre me kontratën; unë dua ujë, unë dua punë, unë dua drita, unë dua shërbime, urdhëro votën, m’i bëj, m’i bëre, merre prapë, s’mi bëre, ik!”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama lëshoi kritika të ashpra në adresë të Kryeministrit Berisha, kur tha, se ai nuk mbajti premtimet që i bëri banorëve të Kamzës për legalizimet.

“Që kur e kanë parë që keni dalë për herë të parë në televizor, ju thotë t’i gëzoni shtëpitë! Po ku i keni legalizimet? Letrat keni ju, se ato ‘Shaban-tapitë” ua japin sa herë vijnë fushatat. As nuk ka ndër mend t’ua japë dokumentat. Më thoni diçka që ai ka bërë për ju? A ua solli ujin, a punësoi njerëz, a ua dha tapitë e legalizimeve. Sa herë vjen këtu thotë se është i mrekulluar me shtëpitë e ndërtuara. Nuk ka legalizime sepse nuk ka shtet. Thonë shumë fjalë këta për Tiranën, kush ka sy në ballë e di shumë mirë se çfarë ishte Tirana dhe çfarë u bë Tirana. E di shumë mirë që kur ne filluam betejën për transformimn e Tiranës, nuk kishte njeri që e besonte”, tha Rama.

Rama: Zero taksa e ushqimeve

Nga Tepelëna Edi Rama është angazhuar për një qeverisje në shërbim të qytetarëve, e cila do të realizojë ato çfarë qeveria Berisha dështoi t’i ofrojë shqiptarëve.

“Do të hapim 300 mijë vende të reja pune, do të ulim taksat për 95% të shqiptarëve. Ne nuk do t’i kërkojmë më familjeve të zakonshme të këtij vendi të paguajnë 20% taksë për kilen e bukës, 20% taksë për kilen e qumështit, 20% taksë për kokrrën e vezës apo kilen e vajit, miellit e orizit, do t’i bëjmë zero taksat e ushqimit për popullin. Unë ju zotohem se nuk do ta harroj kurrë këtë pritje të jashtëzakonshme dhe nuk do të ju tradhtoj kurrë, hallet tuaja do të jenë edhe hallet e mia, problemet tuaja do të jenë problemet e mia dhe në përpjekjet për të dalë nga varfëria, nga papunësia, nga izolimi unë do të jem në krahun tuaj”, tha Berisha.
 

Top Channel