NBA, Miami fiton dhe çon serinë në 1-1

11/06/2013 04:00

Miami zgjohet nga gjumi në sfidën e dytë. Heat-sat, pas humbjes së pësuar në të parën, kanë mposhtur San Antonio-n, duke barazuar serinë e finales së NBA në 1-1.

Franshiza nga Florida u është imponuar Spurs-ave 103-84, falë 19 pikëve të Chalmers dhe 17 të LeBron James. Te Spurs-at kanë zhgënjyer Parker dhe Duncan. Tashmë seria e sfidave spostohet në Teksas, shtëpinë e San Antonio-s.

Miami triumfoi falë provës impresionuese të forcës, në periodën e katërt, duke harruar kështu humbjen e sfidës së parë. Për të fundosur Spurs-at, Heat nuk kanë patur nevojë për të zakonshmin LeBron James, i penguar nga një mbrëmje negative në gjuajtjet e tij (10 gabime nga 13 tentativat e para), por që në fund e mbylli me 17 pikë, 8 topa në tabelë dhe 7 asist.

Ata që vendosën sfidën, në favor të të zotërve të shtëpisë, ishin Mario Chalmers (19 pikë) dhe Ray Allen (13 pikë dhe 3/5 gjuajtje për 3-piksha). E mbi të gjitha mbrojtja e pathyeshme e Miami-t.

Duke qenë në disavantazh të 1 pike, kur kishin mbetur 3 minuta e 16 sekonda nga fundi i periodës së tretë, Heat kanë zhvilluar një periodë të jashtëzakonshme në të katërtën, 33-5, që u preu këmbët Spurs-ave.

San Antonio ka mundur të qëndrojë deri diku në lojë, falë Danny Green, perfekt nga gjuajtjet e tij (6/6 për 2-piksha dhe 5/5 për 3-piksha), por ka munguar mbështetja e “3 muskëtierëve”. Parker 13 pikë, Duncan 9 pikë dhe Ginobili 5 pikë, nuk ishin gjë tjetër veçse një kontribut i pamjaftueshëm.

Seria spostohet tashmë në San Antonio për 3 ndeshjet e ardhshme. E para fillon mbrëmjen e së martës (mëngjesi i së mërkurës në Shqipëri).

Top Channel