KQZ-ja, McCormack: Certifikimi i zgjedhjeve kërkon 5 anëtarë

11/06/2013 00:00

Conny McCormack, kryesuesja e misionin vëzhgues ndërkombëtar të
OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 23 qershorit që zhvillohen në vendin tonë
deklaron se situata në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbetet e
pandryshuar.

“Kjo situatë, ashtu si e kemi vënë në dukje, po ndikon në vendimarrjen e deritanishme, pasi disa vendime, në bazë të ligjit, duhet të merren me pesë anëtarë që bien dakort ose ndryshe të merren me shumicë të cilësuar dhe jo me një shumicë të thjeshtë. Në raportin tonë paraprak, kemi theksuar se kjo kërkesë e ligjit nuk është zbatuar disa herë pasi KQZ nuk ka pesë anëtarë dhe ka marrë vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar duke përdorur justifikime racionale sipas të cilave është në rregull marrja e vendimeve me 4 anëtarë. Gjithsesi ligji është shumë i qartë dhe mendoj që çështja për ne dhe këdo tjetër është që zgjedhjet po afrohen dhe vendimi se kush do t’i fitojë ato, çertifikimi i rezultatit kërkon qartësisht një shumicë të cilësuar prej pesë anëtarësh. Ky është thelbi i çështjes. Pra, ka disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar prej pesë votash por më i rëndësishmi prej tyre, që është në mendjen e gjithkujt, është çertifikimi i rezultatit”, thotë McCormack.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, zyrtarja e lartë thekson se KQZ duhet të funksionojë. “Askush nuk dëshiron që ky komision të ndalojë së funksionuari, ju doni të bëhen zgjedhjet dhe ato nuk mund të bëhen pa një strukturë drejtuese si KQZ, për këtë nuk ka alternativë tjetër. Por misioni ynë ka paraqitur faktin që KQZ ka marrë disa vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe po ecën drejt skadimit të disa afateve të tjera ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar. Dhe nuk do të arrijë t’i kapë këto afate nëse kompozimi i KQZ nuk përshpejtohet në kohën që ka mbetur deri në 23 qershor”, thekson McCormack.

Në një vend si Shqipëria, me një historik zgjedhjesh me diferencë të ngushtë mes palëve, McCormak thotë rezultati i zgjedhjeve nuk është vetëm në dorë të KQZ; ai varet edhe nga ajo se çfarë do të ndodhë në procesin e numërimit, si do të shkojë ky proces.

“Ndërkohë që procesi i numërimit në Shqipëri është shumë i hapur, lejon vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë, askush nuk mundohet të mohojë aksesin e tyre, që mendoj se është një komponent kyç i besueshmërisë së publikut. Gjithë qendrat e votimit kanë kamera TV, ekrane që tregojnë se si ecën votimi, nëse vota është hedhur. Në kuptimin e transparencës procesi është jashtëzakonisht i mirë, këtë shumë vende nuk e kanë, përfshirë edhe vendin tim, SHBA. Kontestim i zgjedhjeve ndodh në të gjitha ato vende ku rezultati i zgjedhjeve është shumë i ngushtë. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë më 23 qershor”, tha McCormack.

Top Channel