F1, Montezemolo: Të dënohet Mercedes!

11/06/2013 14:00

Luca di Montezemolo nuk është tërhequr aspak kur i është kërkuar mendim për çështjen “Mercedes-Pirelli”.

“Uroj që kjo çështje të ndiqet deri në fund nga ata që e kanë për detyrë ta ndjekin. FIA e ka ndjekur deri tani dhe duhet ta çojë deri në fund”, tha presidenti i Ferrarit.

Mercedes dhe Pirelli do të shfaqen përpara një tribunali të FIA-s, më 20 qershor, në orën 09:30.

Data, e konfirmuar edhe nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, është fiksuar për seancën e parë gjyqësore në lidhje me testimet e zhvilluara në Barcelonë nga skuderia e “Barckley”-t, me gomat e reja e mbi të gjitha me njëvëndëshen e 2013-s, diçka e ndaluar nga rregullorja sportive e FIA-s.

Si Mercedes, ashtu edhe ndërmarrja furnizuese e vetme e gomave, në Botërorin e Formula 1, kanë theksuar gjithmonë se nuk kanë shkelur normat. Në Çmimin e Madh të Monaco-s, garën e parafundit të zhvilluar, Red Bull dhe Ferrari kishin prezantuar ankesën formale për të sqaruar këtë histori.

Top Channel