Brazili lë pa ushqime Italinë

11/06/2013 13:25

Kombëtarja e Italisë ka mbërritur ditën e hënë në Brazil në kuadër të Kupës së Konfederatave, por ushqimet që kishte marrë me vete nuk janë lejuar të futen në vendin amerikano-latin.

Në doganë kanë mbetur 200 kg makarona, 100 kg mish dhe 100 litra vaj. Ministria e Agrikulturës së Brazilit ka bllokuar këto ushqime në aeroportin ndërkombëtar Tom Jobim sepse nuk kanë qenë të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.

Edhe pse delegacioni italian është përpjekur për të zgjidhur këtë situatë, autoritetet braziliane nuk kanë lëshuar aspak duke u treguar striktë në zbatimin e ligjit.

Ndërkohë, janë lejuar të kalojnë në doganë 40 televizorët që italianët kanë sjellë nga vendi i tyre, televizorë që do të instalohen në një sallë videolojërash ku futbollistët do të shtyjnë kohën gjatë grumbullimit.

Top Channel