Turqi, protestat dëmtojnë ekonominë

10/06/2013 00:00

Kriza në Turqinë e përfshirë prej ditësh të tëra nga protesta masive, nuk kanë lënë pa cënuar ekonominë.

Bojkoti është rruga tjetër e zgjedhur për të shprehur pakënaqësine ndaj qeverise së kryeministrit Recep Tayyip Erdogan.

Gjithmonë e më shumë kundërshtarë të qeverisë po tërheqin kursimet nga “Garanti Bank”, banka e tretë më e rëndësishme e vendit.

Arsyeja e një lëvizjeje të tillë qëndron tek fakti që një pjesë e madhe e kësaj banke i përket kompanisë “Dogus Holding”, e cila kontrollon edhe njërin prej stacioneve kryesore te lajmeve në Turqi, “NTV”.

Ai, si shumë kanale të tjera turke, nuk informon thuajse aspak për lëvizjen e protestës.

Javën e kaluar, nga banka jane terhequr rreth 16 milione euro e jane kthyer mbi 1.500 karta krediti.

Njerëzit kanë demonstruar gjithashtu para restoranteve të shumta, që i përkasin kompanisë “Dogus Holding”, ku janë perpjekur t`i bindin klientet te largohen.

Nga ana tjetër, sa më shume turq protestojnë, aq më pak turiste vijnë, e këtë e ndiejnë në mënyrë të veçantë dyqanet e suvenireve.

Një pjesë e tyre, të zemëruar me protestat, raportojnë humbje deri ne 85%. Nga demonstratat është prekur pothuajse e gjithe ekonomia e vendit: Indeksi i bursës së Stambollit ra me 10.5 për qind, duke shënuar nivelin më të ulët që nga fillimi i marsit.

Edhe lira turke është zhvlerësuar, duke mbërritur përballe dollarit dhe euros nivelin më të ulët që prej një viti e gjysëm.

Ekspertët sqarojne se largimi i kapitali ka nisur në masë më të vogël që përpara trazirave, por ato ndikuan në shtimin e rrjedhjes së parave për shkak të efektit mbi kushtet e sigurisë dhe marrëdhëniet me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

Erdogan: Durimit tim po i vjen fundi

Në javën e dytë të protestave anti-qeveritare, që kanë përfshirë disa nga qytetet më të mëdha të Turqisë, kryeministri Taip Erdogan ka paralajmëruar protestuesit “se durimit të tij po i vjen fundi”.

Erdogan i cilësoi protestuesit një grup i vogël që po përhap panik dhe terror në të gjithë vendin dhe kritikoi edhe ata, që sipas tij, mbështesin dhunën dhe aktet vandale.

“Ata që djegin, ata që shkatërrojnë ata janë vandalë dhe me gjithë respektin, edhe ata që i mbështesin këto veprime, janë në të njëjtën familje”, deklaroi kryeministri turk në një fjalim të mbajtur para mbështetësve.

Nga ekspertët manifestimi i thërritur nga AKP, partia e Erdogan u quajt si provë force e kryeministrit turk ndaj protestuesve, për t’u treguar atyre që ai është politikani më i mbështetur nga populli në vend.

Deklaratat e Erdogan dhe këmbëngulja e tij për të vazhduar me planin e zhvillimit në parkun “Gezi” në Stamboll, kanë përshkallëzuar protestat ditën e dielë.

“I themi kryeministrit se edhe ne kemi durimin tonë. Jemi këtu dhe po rezistojmë prej ditësh. Ne kërkojmë demokraci dhe të drejtat tona”, deklaroi një protestuese nga sheshi Taksim në Stamboll, i shndërruar në sheshin simbol të protestave anti-Erdogan.

Palët janë ende larg për gjetjen e një zgjidhjeje dhe gjuha e përdorur nuk lë vend për arritjen e një marrëveshje, të paktën së shpejti. Ndërkohë, Erdogan ka thërritur një tjetër manifestim të mbështetësve të tij në fundjavë. Të tilla tubime, vetëm sa nxisin tensione dhe thellojnë hendekun mes protestuesve dhe qeverisë.

Top Channel