“Shifrat e çmendura” të merkatos verore

10/06/2013 19:00

Ndonëse merkatoja e futbollistëve do të hapet zyrtarisht në 1 korrik, konkurrenca mes disa klubeve të mëdha të Europës, për të njëjtët futbollistë, rrezikon të shndërrojë sezonin e transferimeve të kësaj vere në më të kushtueshmin në histori.

I pari, Reali i Madridit, është duke këmbëngulur që të sigurojë blerjen e 23-vjeçarit Gareth Bale dhe aq shumë i pëlqen uellsiani madrilenëve, sa ata janë të gatshëm ta shndërrojnë në futbollistin më të shtrenjtë të historisë.

Sipas spekulimeve të shtypit britanik, pasi oferta prej 85 milionë eurosh nuk e ka bindur Tottenhamin, Reali është i gatshëm që të përmirësojë ofertën e tij deri në 100 milionë euro, gjashtë më shumë se 94 milionë eurot e paguar për blerjen më të shtrenjtë të historisë, Cristiano Ronaldo.

Megjithatë, një “kuintal” milionë euro nuk ofrojnë vetëm në kryeqytetin spanjoll.

Është klubi i Monakos në Francë, i vendosur nën pronësinë e një multimiliarderi rus, ai që është i gatshëm t’i paguajë po të njëjtën shumë gjigantëve spanjollë, për yllin e tyre Ronaldo.

Jo vetëm kaq, por në Monako janë të gatshëm që të dyfishojnë pagën e portugezit, që nëse do të pranojë transferimin, do të përfitonte 23 milionë euro në sezon.

Shifra “të çmendura”, që i bashkohen blerjeve tashmë të zyrtarizuara të Neymar, për 72 milionë euro nga Barcelona apo të Falcao, për 60 milionë euro nga Monako, të cilat gjithmonë e më shumë po rrezikojnë ta shndërrojnë merkaton e vitit 2013, në më të “nxehtën” e historisë.

Top Channel